13.7 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Shasha: Shuarja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane nuk do të ndikojë në procesin integrues të Kosovës

Ministria e Integrimeve Evropiane e cila u krijua para 10 vjetësh, e kishte për qëllim përshpejtimin dhe koordinimin më të mirë të proceseve integruese, çështjen e liberalizimit të vizave e procese tjera me rëndësi në këtë fushë tashmë është shuar.

MIE është shuar me ardhjen e Qeverisë së re të Kosovës, të cilën e udhëheqë Lidhja Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe minoritetet tjera joshumicë në parlament.

Megjithatë, shuarja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane nuk do të ketë ndonjë ndikim në proces integrues, vlerëson Demush Shasha nga instituti “EPIK” .

Shasha në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka thënë se proceset integruese tashmë varen nga vullneti i Qeverisë Hoti.

“Shuarja e MIE-së, nuk do të ndikoj as pozitivisht as negativisht në procesin integrues. Progresi në procesin integrues do të varet nga vullneti polik i Qeverisë Hoti për të shtyrë përpara zbatimin e MSA-së, Agjendës Evropiane të Reformave dhe në përgjithësi reformat në sundimin e ligjit. Natyrisht, rëndësi të veçantë do të ketë avancimi i dialogut me Serbinë”, tha ai.

Ndërkaq, Instituti “EPIK”, gjatë vitit 2019 kishte publikuar një raport ku kishte treguar 10 arsye përse me mbylljen e Ministrisë së Integrimit Evropian procesi integrues duhet të bartet nën përgjegjësinë e “Krye-reformatorit”, apo Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

10 arsye përse modeli më i mirë i drejtimit të procesit integrues është nën autoritetin e Kryeministrit sipas Institutit EPIK:

1. RËNDËSIA E PROCESIT INTEGRIMIT: procesi i integrimit evropian nuk është thjesht një nga proceset. Ai është procesi më i rëndësishëm shtetëror dhe përcaktim strategjik i shoqërisë sonë. 90% e qytetarëve të Republikës së Kosovës mendojnë se anëtarësimi në BE është gjë e mirë (RCC, Balkan Barometer, 2017). Duke qenë kështu, asnjë autoritet më i ultë se Kryeministri nuk mund të bartë këtë peshë shtetërore.

2. VENDIMMARRJA EFEKTIVE: Në procesin integrues nuk ka vendime të lehta të cilat janë në juridiksionin e një ministrie. Vendimet në procesin integrues kërkojnë marrjen e vendimeve të vështira për shoqërinë të cilat mund t’i marrë vetëm Kryeministri. Rrjedhimisht, çfarëdo arkitekturë institucionale e procesit integrues duhet të jetë e strukturuar në atë formë që mundëson përfshirjen dhe vendimmarrjen e drejtpërdrejtë të Kryeministrit në procesin integrues.

3. VIZIBILITETI I PROCESIT INTEGRUES: Është esenciale që Kryeministri, si titullar i Qeverisë, të marrë përgjegjësinë dhe udhëheqjen në komunikimin e procesit integrues. Kjo e vendosë Kryeministrin në epiqendër të komunikimit të procesit integrues me akterët shoqërorë.

4. LLOGARIDHËNIA: Kryeministri emëron, Kryeministri shkarkon. Kjo fjali përmbledh esencën e argumentit të llogaridhënies në procesin më të rëndësishëm reformues, siç është procesi integrues. Arkitektura institucionale për procesin integrues duhet të jetë e dizajnuar ashtu që në epiqendër të saj të jetë kërkesa për ndërmarrjen e reformave dhe informimi i drejtë i Kryeministrit për të kërkuar llogaridhënie.

5. KOORDINIM MË EFIÇIENT: Brenda Qeverisë ka shumë shefa, por është një person vendimet e cilit janë të pakthyeshme dhe të panegociueshme – vendimet e Kryeministrit. Prandaj, vetëm një autoritet superior, siç është Kryeministri, mund të ofrojë peshën dhe autoritetin e nevojshëm politik për të siguruar koordinimin efektiv të agjendës evropiane, si brenda ashtu edhe jashtë Qeverisë.

6. REFORMAT E BRENDSHME: Suksesi i procesit integrues matet me numrin e rasteve të suksesshme në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë në Prishtinë, numrin e inspektimeve të vendeve të punës në Pejë, numrin e impianteve të ujit të ndërtuara në Mitrovicë, apo numrin e fëmijëve të regjistruar në arsimin parashkollor në Prizren. Rrjedhimisht, duhet kuptuar saktë procesin integrues si proces ië reformave të brendshme të cilat bëjnë të mundur një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës, jo për qytetarët e Francës apo të Gjermanisë. Prandaj, qasja thjeshtëzuese dhe e painformuar sipas së cilës procesi i integrimit ka ndonjë të përbashkët me Ministrinë e Punëve të Jashtme është sa e gabueshme po aq edhe fatale për procesin integrues.

7. FQINJËSIA E MIRË DHE PROCESI INTEGRUES: Duke njohur faktin se viteve të fundit jemi dëshmitarë të ndërlidhjes më të fuqishme mes procesit integrues dhe fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimorë, Kryeministri do të jetë në situatë ideale që të jetë pikë ndërlidhëse mes dy proceseve, duke evituar kështu dikotominë mes tyre.

8. KREDIBILITETI I FONDEVE TË BE-SË: Këto nuk janë vetëm para, por janë çështje e kredibilitetit të shtetit të Kosovës. Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë se Kosova ka humbur fonde të BE-së për shkak mospërmbushjes së obligimeve nga ana e institucioneve. Kjo është e patolerueshme. Duke njohur peshën politike të fondeve të BE-së, si dhe duke njohur pengesat të cilat mund të shfaqen në absorbimin e tyre, dhe të cilat mund të tejkalohen vetëm më autoritetin e Kryeministrit, kjo e vë Kryeministrin pozicion të pazëvendësueshëm në marrjen e përgjegjësive për fondet e BE-së.

9. KRIJIMI I QENDRËS QEVERITARE: Qeveria është një institucion jashtëzakonisht kompleks dhe shumëdimensional. Ekzekutimi i mandatit të Kryeministrit është ndërmarrje shumë komplekse politikë dhe teknike. Çdo ditë Kryeministri vërshohet nga dhjetëra çështje urgjente, dhe jo-urgjente, që konsumojnë vëmendjen, kohen dhe kapitalin e tij politik. Procesi integrues imponon bashkimin e strukturës integruese me qendrën e Qeverisë në mënyre që të sigurohet unifikim i plotë i procesit integrues me politikat ditore të saj, duke fokusuar kështu vëmendjen e Kryeministrit në çështjet më të rëndësishme dhe më urgjente. Çdo largim i këtyre dy strukturave mbart me vete kosto për procesin.

10. FUQIZIM ADMINISTRATIV: Bashkimi Evropian, Gjermania, Luksemburgu dhe Norvegjia kanë investuar deri më sot 43.7 milionë EURO në avancimin e stafit përgjegjës për integrim evropian. Fuqizimi i stafit të angazhuar në fushën e integrimit evropian, nën ombrellën e strukturës më të lartë Qeveritare – Kryeministrit, do t’u mundësojë atyre që të kontribuojnë në përshpejtim e ndërmarrjes së reformave evropiane, duke marrë për bazë peshën e autoriteti që do të ushtrojnë nën autoritetin suprem të Qeverisë. 

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles