Site icon Prishtinapress

Sërisht vështirësi për ta paguar këstin e dytë për autobusët e rinj

Kësti i kredisë së dytë për 51 autobusët e rinj, të blerë nga kompania çeke “Iveco”, duhet të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm, por ende nuk dihet nëse këtë gjë do të mundë ta bëjë ndërmarrja “Trafiku Urban”, apo Komuna e Prishtinës do të detyrohet ta paguajë edhe këtë këst.

Përderisa drejtues të Komunës kanë thënë se këstin e radhës për kredinë, por edhe të gjitha këstet e tjera duhet t’i shlyejë vetë “Trafiku Urban”, udhëheqës të kësaj ndërmarrjeje kanë zgjedhur të heshtin në lidhje me këtë çështje, duke mos u përgjigjur fare në pyetjet e gazetës për ditë të tëra, shkruan sot Koha Ditore.

Në anën tjetër, përfaqësues të opozitës deklarojnë se “Trafiku Urban” nuk do të mundë ta paguajë as këtë këst, sepse është duke operuar pa të hyra rentabile për shkak të tregut të zi.

Në Komunën e Prishtinës kanë insistuar se kredia duhet të paguhet nga “Trafiku Urban” për shkak se ajo do të ketë stabilitet financiar pas hyrjes në fuqi të kontratës për shërbime që kanë lidhur këto institucione mes vete.

Exit mobile version