Serbia stërvitje të përbashkët ushtarake me Rusinë, deklarohet NATO

0
47

Rusia ka dërguar sistemin e saj S-400 dhe atë Pantsir-S në Serbi, në kuadër të një stërvitjeje të përbashkët të quajtur “Mburoja Sllave 2019”, që Moska po zhvillon me Beogradin zyrtar, me qëllim që të testojë aftësitë mbrojtëse të të dyja vendeve.

NATO thotë se “respekton” vendimin e Serbisë që të mbajë stërvitje ajrore ushtarake me Rusinë, ku sistemet e mbrojtjes raketore ruse S-400 dhe Pantsir-S janë po ashtu pjesë e këtyre stërvitjeve.

Rusia tha se sistemi S-400 dhe ai Pantsir-S po marrin pjesë në ushtrimet “Mburoja Sllave 2019”, që Moska po zhvillon me Beogradin zyrtar, me qëllim që të testojë aftësitë mbrojtëse ajrore të të dyja vendeve.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se sistemet tokë-ajër janë vendosur në bazën në Batajnicë, që gjendet në periferi të Beogradit.

Është hera e parë që sistemet S-400 dhe Pantsir-S marrin pjesë në stërvitje ushtarake jashtë Rusisë, tha ministria.

Në një deklaratë dhënë për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e NATO-s tha se aleanca dhe Serbia “janë partnerë dhe ne respektojmë të drejtën e Serbisë që të ndërmarrë vendime sovrane lidhur me stërvitjet që kryen në territorin e saj”.

“Kjo është një çështje që i përket Serbisë dhe Rusisë” thuhet në deklaratën e NATO-s, ku theksohet se “Serbia është partner i NATO-s” dhe se vendet e Ballkanit “kanë një marrëdhënie të mirë dhe produktive” me aleancën Perëndimore.

Sistemi S-400 do të kthehet në Rusi pasi të përfundojnë stërvitjet më 29 tetor.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se sistemi Pantsir do të blihet nga qeveria e tij.

Serbia ka marrëdhënie të mira politike dhe ekonomike me Rusinë, pavarësisht se thotë se qëllimi i saj është t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Beogradi është zotuar se do të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar që t’i bashkohet vendeve perëndimore, të cilat kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës.