Site icon Prishtinapress

Serbia paralajmëron hapa kundër Francës

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se ambasadori i Serbisë në Paris do të thirret në Beograd për këshillime pas vendimit të drejtësisë franceze që Ramush Haradinaj të mos ekstradohet në Serbi, por të lirohet në Kosovë , transmeton Koha.net.

Në pyetjen nëse Serbia do t’i ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Francën ai, siç njofton b92, ka thënë se “nuk do të rrezikojë stabilitetin e të ardhmen me çfarëdo hapi të përshpejtuar”.

Ai po ashtu ka shtuar se Francës do t’i dërgohet nota protestuese më e rreptë, ndërsa “politikisht do të përgjigjet në vendimet e saj politike” me të gjitha përgjigjet juridike e politike do t’i dërgohen të gjithë anëtarëve të KB-së.

“Kjo është shkalla më e lartë e protestës sonë para se t’ia mohojmë mikpritjen ambasadorit francez”, ka theksuar ai.

“Askujt, e as Francës, nuk do t’i lejojmë ta injorojë Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka theksuar se Serbia, pas lirimit të Haradinajt, ka vënë kontakte me shumë ambasadorë shtetesh e se më pas do të bisedojë edhe me shefin e diplomacisë ruse Sergei Lavrov.

“Kam ftuar edhe përfaqësuesit e disa ambasadave të tjera, disa janë paraqitur, disa jo”, ka thënë ai.

Gjykata e Apelit në Colmar, Francë sot e ka liruar Ramush Haradinajn duke e hedhur poshtë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij.

Serbia nuk ka të drejtë ankese në këtë vendim.

Exit mobile version