Site icon Prishtinapress

Senatorët amerikanë: Kërkohet sakrificë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Dy senatorët amerikanë, Ron Johnson dhe Chris Murphy po qëndrojnë për vizitë në Kosovë, ku pas takimit me udhëheqësit politikë kosovarë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, theksuan se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka qenë një prej çështjeve kryesore të vizitës së tyre në vendin tonë.

Senatori demokrat, Ron Johnson, në një konferencë për media, tha se një zgjidhje e dialogut mes dy palëve do të jetë çelësi i suksesit për të ardhmen e rajonit.

“Unë dhe senator Murphy kemi ardhur këtu të tregojmë mbështetje për popullin e Kosovës dhe të rajonit. Ne duam ta shohim këtë rajon të botës të suksesshëm. Të gjithë njerëzit duan të njëjtën gjë, ne duam paqe, siguri, dhe të jemi në gjendje t’i rrisim familjet tona në një nivel të caktuar prosperiteti, dhe ne besojmë se e mënyra si t’i arrijmë këto qëllime është përmes qeverive, të cilat respektojnë sundimin e ligjit dhe mbrojnë të drejtat e minoriteteve. Dhe veçanërisht ne kemi qenë të përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje si çelësi që hap potencialet për të ardhmen. Ne jemi këtu në radhë të parë për të mbështetur popullin e rajonit, Kosovës, Serbisë dhe duam t’i shohim të suksesshëm”, deklaroi Johnson.

Ndërsa, senatori Murphy deklaroi se ekziston një marrëdhënie e veçantë mes SHBA-së dhe Kosovës, teksa shtoi se shohin një të ardhme për Kosovën që ekziston me miqtë tanë në komunitetin evropian dhe me të gjitha bizneset  amerikane dhe transatlantike që mund të jenë partnerë në suksesin ekonomik të Kosovës.

Por, sipas tij, janë dy gjëra të nevojshme që kjo rilindje ekonomike të ndodhë.

“Së pari angazhimet në sundimin e ligjit, angazhimet në reformimin e sistemit arsimor po si dhe angazhimet në dialogun me Serbinë, e cila përfshinë zgjidhje të vështira si këtu ashtu edhe në Beograd. Ne do të vazhdojmë udhëtimin tonë, ku do të ndalemi në Beograd për ta vizituar kryeministrin Vuçiq, dhe do t’i themi të njëjtat gjëra që i thamë këtu, ne presim që ky dialog të jetë kuptimplotë dhe frytdhënës, si dhe shpresojmë që të dy palët do ta kuptojnë që kërkohet sakrificë në mënyrë që të bëhet e mundur normalizimi i marrëdhënieve në mes këtyre dy kombeve dhe në mënyrë që të dyja vendet ta rrisin ekonominë. Një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të rezultojë me përfitime pozitive ekonomike dhe politike për të dy vendet, dhe ne do ta bëjmë të qartë këtë mesazh në Beograd”, theksoi Murphy.

Ron Johnson në fund foli edhe për procesin zgjedhor të 6 tetorit, duke uruar që zgjedhjet të lira dhe demokratike.

Exit mobile version