Site icon Prishtinapress

Selimi pyet opozitën: Qëndrimet e cilit lider do t’i keni sot, të AAK-së për mbajtje të taksës, apo të PDK-së për heqje të saj?

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se kanë ardhur në këtë seancë me një qëndrim të qartë për taksën 100 për qind, por sipas tij opozita kanë mendime kontraverse nga njëra-tjetra.

Rexhepi tha se për opozitën, ka një pyetje, për shkak se ata nuk e kanë të qartë dhe nuk po e dinë se çka po kërkojnë nga Qeveria.

“Seancës së jashtëzakonshme do të duhej t’i paraprinte një projekt-rezolutë, nga ana e thirrësit të kësaj seance. Atë nuk e patëm rastin ta kemi bashkë me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, e që kam dronë se nuk do ta kemi as në përfundim të seancës. Duke marrë parasysh se subjektet opozitare nuk kanë paraqitur ndonjë qëndrim të përbashkët për taksën 100 për qind, dhe duke marrë parasysh që të gjithë kanë qëndrime kontraverse nga njëra tjetër”, u shpreh Rexhepi.

Shefi i Grupit parlamentar të LVV-së, tha se kërkojnë që të qartësohet se qëndrimin e cilit prej liderëve të partive opozitare do ta ndjekin, duke qenë se AAK-ja kërkon mbajtjen, ndërsa PDK-ja kërkonte heqjen e menjëhershme të taksës, raporton Telegrafi.

Selimi theksoi se është presidenti Hashim Thaçi, ai i cili po insiston që të hiqet taksa, derisa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj po insiston që taksa të mbetet në fuqi.

“Pashmangshëm shtrohet pyetja se çka po kërkon opozita, mbajtjen apo heqjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia e Bosnja. Atyre ua shtrojmë një pyetje, pas së cilës shpresojmë të kemi një përgjigje. Qëndrimin e cilit prej liderëve do të keni sot? Qëndrimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për mos-heqjen e taksës, apo atë të kryetarit të PDK-së, e sidomos presidentit të tyre, për heqjen e menjëhershme të taksës. Ne e kemi shumë të qartë dhe nuk kemi dilema, por nuk e dimë nëse opozita e ka të qartë, se çfarë po kërkon”, tha Selimi.

Exit mobile version