Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se deputetët e partisë së tij, nuk mund ta pranojnë projekt-rezolutën e propozuar nga deputetja e Aleancës Kosova e Re, Mirlinda Sopi Krasniqi, për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Ai tha se në vitin 2015 kur është votuar Gjykata Speciale është dashur të dihet se Gjykata themelohet për të gjykuar, dhe se ata gjykatës nuk mund të shkarkohen.
Selimi tha se e kanë mbështetur për tu futur në rend ditë pikën e rendit të ditës një rezolutë në lidhje me Gjykatën Speciale për tu shqyrtuar por kjo nuk nënkupton që do e mbështesin këtë projekt-rezolutë ashtu siç është.
“A nuk jeni shumë prej jush që në 2015-tën e keni sjell vet këtë padrejtësi këtu? Nëse keni menduar që 3 gushti i 2015 sjell diçka tjetër e keni pasur gabim”, tha Selimi i cili vazhdoi me disa pyetje, siç tha ai për sponzorizuesin e kësaj rezolute.
“Ne e duan këtë debat, ne duam edhe rezolutë ua kujtojmë që shumë rezoluta janë nxjerrur për temën e njëjtë. Nëse nuk e keni ditur se Gjykata themelohet për të gjykuar e keni pasur gabim. Ata për fat të keq të dikujt nuk ishin gjykatës që mund të shkarkohen nga pronto, është e kundërta, ata edhe të shkarkojnë”, tha Selimi.
“Nuk do të thotë se nuk e kemi kuptuar si ka ardhë kjo projekt-rezolutë sot në këtë seancë. Nuk është se i ra në mend zonjës Sopi sot në pikë të ditës për ta sjellë këtë rezolutë sot në Kuvend. Mirë sepse edhe rruga nga ka ardhur, ka një kuptim. Ashtu siç ka ardhur do të jap edhe përgjigjet”, tha Selimi në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se ka pyetje për secilën pikë e cila është e paraqitur në këtë projekt rezolutë.
Sipas tij, rezoluta do të duhej të përfshinte kundërshtimin ndaj padrejtësisë por po ashtu edhe kundërshtimin që e kanë sjellë këtë padrejtësi nëse është padrejtësi ashtu siç është thënë për Gjykatën Speciale.