Site icon Prishtinapress

SBASHK kategorikisht kundër zëvendësimit të orëve të humbura

Përfaqësuesi i SHBASHK-ut, Ymer Ymeri, ka deklaruar se nuk do të ketë zëvendësim të orëve të humbura të mësimit ashtu siç i kërkon ministri Shyqiri Bytyqi.

“Ministri i arsimit e ka nxjerrë një vendim për zëvendësimin e orëve të humbura, janë 15 orë. Ne si SBASHK jemi befasuar me vendimin e tillë për shkak se është marrë pa asnjë konsultë me përfaqësuesit e punëtorëve dhe kur e din që ligji i pagave nuk i obligon ata. Asnjë ligj nuk shkruan që orët e humbura gjatë grevës duhen zëvendësuar”.

“Në kontratë shkruan që java mësimore duhet t’i ketë 20 orë mësim. Kurdo që zëvendësohen orët nuk e kanë efektin e mësimit të rregullt”.

“Askund nuk shkruan që duhet të kompensohen. Ne si Këshilli kemi vendosur që vendimin e ministrit ta qojmë në gjykatë, për shkak se shkaktari i humbjes së orëve mësimore nuk është SBASHK-u dhe nuk janë mësimdhënësit, sepse zgjidhja ka mundur të bëhet më e shpejte, por nuk është bë”.

“SHBASHK i garanton qytetarët se nuk ka inate”.

“Ne marrëveshjen atëherë e kemi bërë me krerët e shtetit, me kryeparlamentarin edhe kryeministrin. Në takim ka qenë i pranishëm edhe ministri i financave që e ka garantuar buxhetin”.

“I bëj ftesë drejtorëve të shkollave dhe drejtorive të mos bëjnë presione. Nëse ata bëjnë presion, ne do ta shpallim grevën në prill”.

“Një pjesë e madhe e prindërve janë kundër zëvendësimit të orëve të shtunave dhe ata kërkojnë që të gjendet një zgjidhje”.

Pra, te shtunave nuk do të ketë mësim, as në pushimin pranveror deri sa te tërhiqet vendimi dhe të vijë ai i gjykatës për këtë punë. Ky është vendimi i mësimdhënësve”, u shpreh Ymeri në rubrikën “Sytë 7”.

Por këtë qëndrim të SBASHK-ut, në Ministrinë e Arsimit e quajnë të pakuptimtë.

Arbër Geci, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, ka thënë dje, e enjte, për lajmi.net se qëndrimi i SBASHK-ut është i pakuptimtë dhe si i tillë dëmton procesin mësimor.

“Ministria e Arsimit ka marrë një vendim për zëvendësimin e orëve të humbura dhe e ka planifikuar zëvendësimin e orëve në mënyrën më të mirë që ka qenë e mundur. Vendim është në fuqi dhe është detyrë e Drejtorive Komunale të Arsimit dhe drejtorëve të shkollave që ta zëvendësojnë orët e humbura. Për ne qëndrimi i SBASHK-ut është i pakuptimtë, pavarësisht që ata thirrën në atë se nxënësit sipas kontratës e kanë obligative që t’i mbajnë 20 orë mësimore gjatë javës, ekziston edhe një afat i kohëzgjatjes së gjysmë vjetorit dhe i normës së caktuar të orëve mësimorë që duhet mbahen dhe një planprogram i caktuar i cili zbatohet”, ka thënë Geci.

Ai ka thënë se SBASHK-u, ka arritur objektivat e saj përmes grevës, derisa ka shtuar se vendimi i MASHT-it është në fuqi dhe duhet të respektohet.

“3 javë të humbura janë jashtëzakonisht shumë për të humbur në procesin e rregullt mësimor dhe kështu siç SBASHK-u ka të drejtë kushtetuese grevën, ashtu edhe nxënësit e kanë të drejtë kushtetuese edukimin. Kështu që SBASHK-u ka arritur objektivat e veta përmes grevës dhe besojmë që pjesa tjetër është shumë e ndjeshme. Ne e kemi obligim që të marrim vendime të cilat janë në interes të nxënësve dhe procesit mësimorë. Vendimi i ministrisë është në fuqi, është vendim ligjor dhe obligativ dhe duhet të zbatohet”, ka thënë Geci për lajmi.net.

Ai ka thënë se është nën përgjegjësin e Drejtorive Komunale të Arsimit që të zbatojnë vendimit e MASHT-it për zëvendësimin e orëve të humbura.

Sipas tij kjo nuk është çështje inateve, por është në interesin e nxënësve, sepse siç thotë ai, është humbur një kohe e gjatë e mësimit.

“Është detyrë e Drejtorive Komunale të Arsimit, e Inspektoratit të Arsimit që të mbikëqyrë mbarëvajtjen e orëve të humbura, nëse nuk ndodh, normalisht duhet dhënë raportet për orët që zëvendësohen apo orët që nuk zëvendësohen dhe normalisht janë aktet tjera që i mbikëqyrin komunat dhe është në kompetencë të drejtorive komunale që të përkujdesën që orët humbura të plotësohen. Nuk është çështje as e dëshirës dhe as e inateve është çështje e interesit të nxënësve sepse është humbur një kohë e shumë gjatë, dhe kjo pa dyshim ndikon në cilësinë e arsimit”, ka thënë tutje Geci.

Exit mobile version