Site icon Prishtinapress

Sami Hamiti pritet të dëgjohet në gjykimin për korrupsion ndaj kryetarit të FFK-së dhe të akuzuarit tjetër

Prishtinë – Ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, pritet të jep dëshminë e tij në gjykimin ndaj kryetarit aktual të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi si dhe ndaj Muharrem Ramës, të cilët po akuzohen për ushtrim ndikimi dhe detyrim.

Ademi e Rama akuzohen se me qëllim të përfitim material, e kishin detyruar dhe kërcënuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, lidhur me pagesën e një veture të tipit “BMË X5”, në vlerë prej 30 mijë euro, e cila më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të atëhershëm të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte paraparë të jepej fjala përfundimtare, mirëpo prokurori Feti Tunuzliu ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Sami Hamiti, pasi sipas tij, ai ishte dëshmitari kyç në këtë çështje penale.

Sipas tij, pas përfundimit të shqyrtimit të kaluar gjyqësor dhe gjatë analizimit të lëndës kishte analizuar që dëshmitari Hamiti ishte me interes të dëgjohet për shkak të vërtetimit të plotë e të drejtë të gjendjes faktike.

“Vlerësoj që i njëjti është dashtë që të deklarohet se a është e vërtetë që i është ofruar ndonjë veturë, a është telefonuar nga të akuzuarit që të kenë ndonjë takim, a ka qenë në dijeni se të akuzuarit kanë biseduar që atij ti ofrohet një veturë dhe në rrethanat rreth një bisede telefonike të 7 shtatorit 2012”, deklaroi prokurori Tunuzliu.

Këtë propozim e kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve Ademi dhe Rama, avokatët Qazim Qerimi dhe Ramiz Krasniqi.

Sipas mbrojtësit së të akuzuarit Ademi, avokatit Qerimi, në seancën e fundit ishin shtjerrë të gjitha provat dhe se nuk ishte e nevojshme të dëgjohet dëshmitari Sami Hamiti, pasi sipas tij ai kishte dhënë deklaratë në prokurori si i dyshuar, dhe për të prokurori për të i kishte pushuar hetimet.

Edhe mbrojtësi i Ramës, avokati Ramiz Krasniqi, e kundërshtoi këtë propozim, pasi sipas tij prokurori kur i kishte shfletuar shkresat e lëndës e kishte parë se në këtë çështje nuk kishte asgjë inkriminuese, dhe se përpiqet që ta sjellë në gjykatë një dëshmitar i cili më parë për të njëjtin rast kishte qenë i dyshuar.

“E gjithë procedura e nisur ka qenë për shkakun e këtij dëshmitari, prandaj prokurori kërkon që të njëjtin ta sjellë në gjatë, kërkoj që ky propozim të refuzohet pasi është i pavend dhe i vonuar”, ka thënë avokati Krasniqi.

Më pas, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, ka aprovuar propozimin e prokurorit Tunuzliu që në seancën e radhës, e cila pritet të mbahet më 21 maj 2019, në ora 13:15, të dëgjohet dëshmitari Sami Hamiti.

Ndryshe, në seancën e 30 janarit 2019, dy të akuzuarit kanë shfrytëzuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje, duke thënë se mbesin pranë deklaratës që kishin dhënë te prokurori i EULEX-it, më 2 maj 2013.

Aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit është ngritur me 14 janar 2014, në bashkëpunim të Prokurorisë Themelore të EULEX-it, me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Sipas pretendimeve të prokurorit të EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurorit Ilaz Beqiri në pikën e parë të aktakuzës, të pandehurit Ademi dhe Rama gjatë periudhës kohore 12  korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës të pandehurit Ademi dhe Rama akuzohen për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30.000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast është Kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”. /Betimipërdrejtësi

Exit mobile version