Site icon Prishtinapress

Rrjeti i Grave të Komuniteteve RAE dënon sulmin ndaj gruas rome, kërkon të merren masa

Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), ka dënuar ashpër sulmin i cili ndodhi një ditë më parë në Lipjan, ku një grua e komunitetit rom u sulmua, nga disa të rinj të këtij qyteti. Ajo madje mori edhe lëndime trupore.

Rrjeti i grave të komunitetit RAE deklaron se një sjellje e tillë është brutale dhe po bëhet ndaj një gruaje e cila vjen nga komuniteti rom.

“…. e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave. Përderisa Policia e Kosovës, ka deklaruar se gruaja e cila ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011, nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal, por e cila u sulmua pasi që grupe të ndryshme online, kanë alarmuar rrejshëm për rrezikun që pretendohej se ajo paraqiste, nuk duhet të mbetet me kaq. Por se rasti duhet të qartësohet deri në fund dhe akteret e këtij rasti, të cilët ushtruan dhunë ndaj një gruaja rome, të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e RROGREAEK.

Ky rrjet fton institucionet përkatëse që të marrin rastin parasysh dhe të marrin masa disiplinore ndaj sulmuesve, duke të trajtuar rastin deri në fund.

“RROGRAEK po ashtu u bënë thirrje institucioneve arsimore në Kosovë, që të kenë kujdes me fëmijët, tek të cilët të mos ketë nxitje të urrejtjes ndaj qytetarëve të komuniteteve tjera dhe të ketë sulme në baza racore, si në rastin me gruan e komunitetit rom”, përfundon njoftimi.

E gjatë ditës së djeshme në media por edhe grupe të ndryshme në rrjetet sociale u shpërnda fotografia e gruas në fjalë për të cilën thuhej se po i kidnapon fëmijët. Por, Policia e Kosovës ka sqaruar se akuzat e tilla nuk kanë rezultuar të jenë të sakta dhe se gruaja e cila akuzohej nuk kishte asnjë vepër penale në polici e as nuk ishte e njohur si grua problematike për këta të fundit.

Exit mobile version