Site icon Prishtinapress

Rreziku nga varianti i ri, Evropa i ndali, në Kosovë vazhdojnë fluturimet nga Anglia

Shfaqja e një varianti të ri të koronavirusit në Angli i ka vënë në lëvizje shtetet e fuqishme të Evropës, disa prej të cilave të dielën kanë ndërmarrë masa të menjëhershme duke i anuluar fluturimet nga Londra. Austria, Belgjika, Italia dhe Holanda ishin shtetet e para që ndaluan fluturimet nga Britania e Madhe të dielën, ndërsa plane të ngjashme po konsiderohen edhe nga shtete tjera, në mesin e të cilave edhe Franca e Gjermania.

Derisa miliona njerëz në Londër dhe juglindje të Anglisë nisën ditën e parë të një bllokimi të ri total dhe ministri anglez i Shëndetësisë, Matt Hancock tha se lloji i sapo identifikuar i virusit ka dalë “jashtë kontrollit“, Gazeta Express mëson se të dielën një aeroplan nga Anglia mbërriti në airoportin e Prishtinës, “Adem Jashari”.

Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kanë treguar nëse do ta ndjekin shembullin e ndalimit të fluturimeve nga Anglia, derisa është paralajmëruar një takim i kryeministrit, ministrit të Shëndetësisë dhe krerëve të tjerë shëndetësor është paralajmëruar, ku do të diskutohen masat.

Në një konferencë të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ky i fundit përmendi varianti i ri i koronavirusit, por sërish s’u tha asgjë për mundësinë e ndalimit të fluturimeve nga Anglia.

Ramadani tha se “Instituti Kombëtar po bën përpjekje që të nxisë të gjithë qytetarët të testohen për çdo rast të dyshimt, duke njoftuar se laboratori i IKSHPK-së mund të diagnostifikojë versionin e ri të koronavirusit, i cili është përhapur në disa vende evropiane dhe për të cilin janë ngritur shqetësime”.

Zëdhënësja e Qeverisë ka thënë vetëm se “Ministri i Shëndetësisë i ka dhënë informacionet lidhur me qëndrimet e deritashme”.

“Besoj e keni percjellur konferencën për media sot në ora 15:00 në Qeveri, ku kanë folur Ministri, drejtori i IKSHPK-së, i SHSKUK-së, Policisë, etj. Është trajtuar edhe kjo çështje, sikurse edhe në komunikatën e IKSHPK-së (ditore lidhur me rastet Covid-19)”, thuhet ndërkaq, në përgjigjjen e MSH-së.

E në komunikatën e IKSHPK-së s’thuhet asgjë më shumë sesa në konferencë, ku nuk u përmendën fluturimet. Për fluturimet nga Anglia në Kosovë nuk janë përgjigjur as nga airoporti i Prishtinës.

Express mëson se të hënën nuk ka pasur fluturime nga Anglia në Kosovë, ndërsa sipas kalendarit në web-faqen e airoportit të Prishtinës, nuk parashihet të ketë së paku deri të martën paradite.

Alarmi i ndezur të dielën në Angli, është dëgjuar në Ballkan nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ka njoftuar të hënën për ndalimin e të gjitha fluturimeve nga Britania e Madhe, pas shfaqjes së variantit të ri të koronavirusit.

“Pas informacioneve të fundit në lidhje me shfaqjen e përhapjes së përshpejtuar të koronavirusit të Britanisë së Madhe, sot Komiteti i ekspertëve për COVID-19 ka marrë vendimin për ndalimin e të gjitha fluturimeve nga Britania në Maqedoninë e Veriut. Përveç kësaj, është vendosur edhe një vetizolim i detyrueshëm 14-ditor, për të gjithë udhëtarët që vijnë direkt ose indirekt nga Britania e Madhe në Maqedoninë e Veriut”, shkroi Zaev.

Po kështu, Gjermania dëshiron t’i ndalojë të gjitha fluturimet nga Britania e Madhe nga mesnata deri më 6 janar, raportoi gazeta Bild, duke cituar burime qeveritare.

Ndërkohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron dhe shefat e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel në lidhje me këtë çështje.

Franca po e konsideron gjithashtu pezullimin e fluturimeve dhe trenave nga Britania, njoftoi televizioni BFM.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të dielën se është në kontakt të ngushtë me zyrtarë britanikë dhe se jashtë Britanisë së Madhe nëntë raste të llojit të ri janë raportuar dje në Danimarkë, si dhe një rast në Hollandë dhe një tjetër në Australi. “Në të gjithë Evropën, ku transmetimi është intensiv dhe i përhapur, vendet duhet t’i dyfishojnë qasjet e tyre të kontrollit dhe parandalimit”, tha një zëdhënëse e OBSH-së në Evropë.

Qeveria spanjolle tha se i ka kërkuar Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të dilnin me një “përgjigje të përbashkët të koordinuar” për situatën dhe shtoi se do të “veprojë në mbrojtje të interesave dhe të drejtave të qytetarëve spanjollë”.

Komisioni Evropian nuk i është përgjigjur një pyetje të AFP nëse një ndalim i udhëtarëve nga Britania e Madhe do të rekomandohej për të gjitha vendet e BE-së.

Izraeli gjithashtu vendosi masa të reja që ndalojnë hyrjen për ata që vijnë nga Britania e Madhe, Danimarka dhe Afrika e Jugut të dielën, duke përmendur frikën mbi variantet e Covidit. Qytetarët e Izraelit që vijnë nga ato vende duhet të futen në izolim në hotelet e karantinës të drejtuara nga shteti për 14 ditë.

Vendimi i miratuar me nxitim çoi në skena konfuze në aeroportin ndërkombëtar të Izraelit, ku sipas mediave vendase rreth 130 pasagjerë në dy fluturime nga Londra u informuan për kërkesat e reja të karantinës vetëm pas mbërritjes.

Policia u thirr në vendngjarje pasi disa refuzuan, njoftoi mediumi Kanal 12, duke shtuar se 12 persona vendosën të ktheheshin në Britani.

Teksa krijimi i vaksinave efektive anti-COVID po ofron shpresë për një rrugëdalje nga pandemia, zyrtarët në Britani e ndezën alarmin urgjent për atë që ata e quajtën një variant të ri ngjitës të koronavirusit që po qarkullon në Angli. Duke përmendur përhapjen e shpejtë të virusit nëpër Londër dhe zonat përreth, kryeministri Boris Johnson vendosi bllokimin më të rreptë të vendit që nga marsi. “Kur virusi ndryshon metodën e tij të sulmit, ne duhet të ndryshojmë metodën tonë të mbrojtjes”, tha ai.

Varianti britanik ka rreth 20 mutacione, përfshirë disa që ndikojnë në mënyrën se si ai bllokohet në qelizat njerëzore dhe i infekton ato. Këto mutacione mund të lejojnë që varianti të replikohet dhe transmetohet në mënyrë më efikase, rreth 70% më shpejtë se ai i zakonshmi, tha Muge Cevik, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e St. Andrews në Skoci dhe këshilltar shkencor i qeverisë britanike.

Exit mobile version