21.9 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Rrëfimi për dëshmorin që vrau tre serbë, mori hak për Adem Jasharin

Vetëm dy muaj pas rënies së Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, në Mitrovicë krisi një pushkë që jehoi cep më cep në kufijtë e Kosovës.

Pas krismave që u dëgjuan herët në mëngjesin e 6 majit të vitit 1998 pranë stacionit të autobusëve në Mitrovicë, mbetën të vrarë tre policë serbë.

Qyteti u zgjua me oshtimë nga automjetet e policisë. Pak kush po merrte vesh se çfarë kishte ngjarë dhe pak kujt po i shkonte ndërmend se aksionin ndaj policisë serbe e kishte kryer një djalë i ri mitrovicas, që vinte nga Prekazi i Adem Jasharit.

Kastrioti, vëllai i dëshmorit Artim Jashari, rrëfen për Kosovapress se ai ka qenë shumë aktiv rreth çështjes kombëtare edhe para luftës.

“Ka qenë i ri, por shumë i lidhur me fatin e vendit. Pas dy vjetësh qëndrimi në Suedi, në vitin 1995 është kthyer prej atje, duke e braktisur jetën luksoze, për të qenë afër njerëzve të tij dhe Kosovës, pa të cilën nuk jetonte dot”, thotë Kastrioti.

Sipas tij, Artimi është shquar sidomos gjatë protestave të studentëve në vitin 1997, dhe veçon një rast, kur një nga njoftimet për protestën e njohur të 1 tetorit që po shpërndante ai, e kishte vendosur jashtë dritareve të një lokali në veri të qytetit, edhe pse kishte vërejtur se brenda kishte të ulur policë serbë.

Pas pak ai ishte arrestuar dhe ishte keqtrajtuar rëndë në stacionin e policisë.

Ai shtoi se vëllai, që ishte student i anglishtes dhe i Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik, pas betejës në Prekaz më 5 mars 1998, me ç’rast kishte rënë komandanti legjendar Adem Jashari dhe shumë kushërinj e luftëtarë të tjerë, ishte mllefosur tej mase.

“Prej betejës së Prekazit, Artimi ka ndryshuar. Shumë shpesh e përdorte fjalën hakmarrje dhe tash të gjithë në familje e kishim kuptuar se ai po përgatiste diçka”, ka thënë vëllai i dëshmorit, Kastrioti.

Ai tregoi se më herët, pikërisht në natën që e kishte ndërmarrë aksionin, më 6 maj 1998, nëna ia kishte rregulluar mbajtësen e automatikut, meqë ai ishte ankuar se po ia vriste krahun.

Kastrioti kujton se para se të nisej në aksion ishte përshëndetur me familjarët, e kishte përqafuar dhe mbajtur lart në duar djalin e tij, Endritin, ndërsa nënës ia kishte përsëritur refrenin e tij që e përdorte shpesh se “mjaft e do Endritin, por për lirinë e Kosovës do t’i jepte edhe 100 Endrita”.

Sipas tij, ai më pas ishte zhdukur në terrin e natës, diku rreth orës 24:00, ndërsa më vonë ishin dëgjuar të shtënat.

“Me atë rast, ai i kishte lënë të vrarë tre policë serbë, ndërsa pak minuta më vonë kishte ndërruar jetë edhe vetë, nga një plumb që e kishte goditur”, rrëfen Kastrioti.

Tre ditë më pas, pasi policia e kishte liruar kufomën, mitrovicasit e kishin varrosur me nderime trimin për të cilin thureshin legjenda, që luftën e Adem Jasharit e vazhdoi në Mitrovicë, e cila në atë kohë po gjëmonte nga dhembjet e dhunës së pushtuesit.

Ndërkaq, në shenjë respekti dhe nderimi për dëshmorin, është ndërtuar sheshi që mban emrin e tij, afër stacionit të autobusëve në Mitrovicë

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles