Me plis në kokë dhe i veshur në tesha të punës, 87-vjeçari, Zenel Beka, mori kthesën e parë në të majtë nga shtëpia për të filluar punën në mullirin e tij, i cili gjendet në pjesën jugore të fshatit Kuqicë të Skenderajt.
Ato pak metra nga shtëpia e deri në mulli, Zenel Beka i bëri me traktorin e tij, të cilin po e drejtonte me aq kujdes në rrugën e cila ende është e pashtruar me asfalt. Beka thotë se me traktor shkon çdo ditë në mulli, dhe se çdo prishje që i bëhen atij, ai vet e rregullon.
Para derës kryesore të mullirit, i cili punon me ujë, ishin të vendosura edhe dy karrige, ku Beka kishte lënë ato për mysafirë të këtij mulliri, në ato karrige kishin pushuar shumë qytetarë, të cilët kishin bërë bluarjen e misrit e grurit në mullirin që është ndërtuar para qindra viteve.
Punën në Mulli, Beka thotë se e bën vetëm nga dëshira dhe se nuk mund të jetojë pa punuar, teksa shton se shumicën e kohës bluarjen e misrit dhe grurit e bën falas, për të iu ndihmuar qytetarëve.
Mulliri i Zenel Bekës, i rrethuar me gjelbërim dhe pa ndonjë shtëpi afër, i cili është ndërtuar përafërsisht para 400 vjetëve, ka pasur vizitorë të shumtë, e përveç makinerive që bëjnë bluarjen e misrit dhe grurit, në mullirin e Zenel Bekës nuk dëgjohej ndonjë zhurmë tjetër.
Brenda mullirit që është i ndërtuar me gurë të madhësive të ndryshme e me lloç, gjenden makineritë për bluarjen e misrit dhe grurit, që Zenel Beka i vë në funksion çdo ditë. Derisa ishte duke marrë disa kokrra misrit, Beka thotë se ky mulli tashmë është nën mbrojtjen e shtetit, por që ende nuk është bërë ndonjë investim në të.
Beka gjatë rrëfimit për Telegrafin thotë se mulliri nuk duhet të mbetet pa trashëgimtarë, dhe se punën në mulli ia ka mësuar edhe djali të tij, i cili jeton po ashtu në fshatin Kuqicë.
Gjatë rrëfimit të tij, 87 vjeçari tha se gjithmonë në jetë ka punuar me ndershmëri, dhe se këtë e ka amanet nga babagjyshi i tij.
“Babëgjyshi më ka thanë gjithmonë se duhet punuar me nder e mos me i hy në hak askujt”, thotë Beka derisa vazhdonte të bënte bluarjen e misrit.
Teksa bënte bluarjen e misrit, Zenel Beka u emocionua kur rrëfeu për dhuratat që ka marrë, ai përmendi një rast, kur një mërgimtar ia kishte dërguar 100 euro, e që më pas me ato para ai kishte shpërndarë miell për shumë qytetarë.
Beka gjatë bisedës foli edhe për kohën e pandemisë COVID-19, kur qytetarëve iu shtua interesimi për tu furnizuar më miell.
“Që kur është dalë virusi, askujt nuk i kam marrë pare për bluarjen e misrit e grurit”, rrëfeu ai.
Biseda me 87-vjeçarin, që nuk iu nda asnjëherë punës, emocionoi edhe një bashkëfshatar të tij, i cili për Telegrafin tha se Zenel Beka është person i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.
Në fund të bisedës, Zenel Beka, i cili kishte kaluar më shumë se 70 vjet duke punuar në mulli, porositi të gjithë që të ruhen mullinjtë me ujë, sepse ajo është pasuria më e madhe që ka një vend./Telegrafi/