Site icon Prishtinapress

Rrëfim rrëqethës nga Masakra e Dubravës: Të plagosurit më kujtonin feniksin që ngrihej nga hiri

Si ta përshkruaj skenën e llahtarshme që u hap para nesh?

Dita e dymbëdhjetë. E shtunë. Ora 3:00 e mëngjesit. Dëgjuam zërin e disa traktorëve duke lëvizur në drejtim të vëzhgimores nr.5. Më vonë rreth orës 5:45, në vëzhgimoren nr.5 (që e kishim afër), kishte hipur krimineli me emrin Svetllan Matanoviq, i dënuar më parë për vrasjen e familjes Cacaj në Deçan. Ishte malazias i ardhur nga Vrraka e Shkodrës, Shqipëri, emri i tij i vërtetë i të cilit deri në ato ditë ishte Dritan (Spiro?) Pjetri dhe bënte roje duke vëzhguar lëvizjet e të burgosurve. Prapa mureve të burgut paramilitarët ishin duke përgatitur sulmin për ekzekutimin më masiv dhe më makabër ndaj shqiptarëve.

Ordineri (krimineli) Svetllan Matanoviq qe një vrasës me damkë, alias Driton Pjetri, prej vëzhgimores naurdhëronte, ulërinte nga megafoni me një çirrmë vetmitare:

“Që sa më shpejt të rreshtohemi për t’u nisur në burgun e Nishit!”

Në dorë mbante pushkë me dylbi (snajper me precizion). Ne të gjithë, disi të çuditur, u ngritëm në këmbë dhe filluam të rreshtohemi për dy pa bërë zhurmë.

Disa shokëve të mi u thashë:

“Se këtu nuk ishte vendi për rreshtim dhe mos u frikësohuni, çfarë do të ndodhë. Do të ndodhë shumë shpejt?”.

Po filloj ta njoh vdekjen; ajo fsheh sekrete krejt tjera, mbase edhe për të vetëgjykuar ose, të paktën, për ta njohur vetveten para se të vritem.
Pranë e kisha edhe nipin tim, Makin, të cilit i thashë:

“Ti do të rrish këtu me mua”.

Kisha parandjenjë se do të ndodhte diçka e keqe. Nipi më tha:

“Dajë, çka do të ndodhë? Unë do të jem me shokët e mi”.

Këto ndoshta ishin çastet më vendimtare për jetë a vdekje në këtë kasaphanë. Nuk vonoi shumë e krimineli (Dritani) Svetllan Matanoviq hyri në vëzhgimore, mori një minahedhës dore (zola) dhe goditi mesin e të rreshtuarve shqiptarë.

Menjëherë filluan granatimet barbare të paramilitarëve serbë e malazez prapa mureve me minahedhës, bomba dore, automatikë dhe me pushkë precizioni. Një stuhi fishekësh përfshiu pjesën e sipërme të murit, të pavijonit dhe bënë të fluturonin tutje copa argjili dhe tullash.

MBETËM TË GJITHË NË MES SI GLADIATORË TË VDEKJES.

Granatat e dorës i kishin bërë gati të na shqyejnë. Plas një mortajë. Pas ca edhe ca të tjera. Dhe sakaq ia nis vallja. Kjo është dita e sotit, është më e përgjakura dhe më e rënda. Çuditem si është e mundur dita të jetë e hidhur, me plot drithërimë, e lemeritshme dhe vdekja vazhdon punën e saj.

Mortaja të fishkëllinin prapa mureve. Një uragan klithmash dhe ulërimash shpërtheu ndërmjet të burgosurve nën shiun e mortajave dhe të plumbave.

Të plagosurit rrëzoheshin duke u rrotulluar mbi bar. Për disa sekonda sheshi u pushtua nga trupat e shqiptarëve, më pas gjithçka mbaroi dhe u dëgjua vetëm dihatja e thellë e atyre që shpëtuan. Aty afër dy veta u goditën dhe s’lëvizën më mbi bar.

Pashë një të plagosur të panjohur, teksa që i rridhte gjaku nga plaga. Për një çast m’u duk i panjohuri se kishte të veshura tuta sportive me të kaltra, me shirita të bardhë.

Dubravën e kthyen në laborator kufomash. Kudo të vdekur e të lënduar rëndë dhe pjesë të trupit të shpërndara në tërë fushën. Masakra po kthehet në një thertore njerëzish. Nga granatimet u spërkata në fytyrë dhe në trup me gjakun e të plagosurve. Unë u përplasa përdhe, u gërvishta në ballë dhe në duar.

Ç’po bën ai! Ç’po bën Dritoni kështu! Vendi u mbulua me kufoma dhe pellgje gjaku. Nga tmerri një pjesë e të burgosurve ranë në gjendje shoku. Duke vrapuar shkelnin mbi pellgjet e gjakut. Disa u zvarritën drejt asaj që dukej si luginë dhe mbetën shtrirë në të. Bilanci tragjik ishte 110 të vdekur dhe mbi 350 të lënduar rëndë.

Në mesin e të vrarëve ishin: Tefik Raka nga Kaçaniku, gjashtëmbëdhëjetë vjeçari Suad Brava nga Hani i Elezit, Defrim Kiçina nga fshati Bajincë, Drenicë, Naim Zahiti nga Vushtria, Gjon Mark Gjini nga Prizreni, Valentin Mark Nikollbibaj nga fshati Brekoc, komuna e Gjakovës, Lush Ndue Përllaziri nga fshati Velezhë, komuna e Prizrenit, Besim Hazir Paçarizi nga fshati Dragobil, komuna e Prizrenit,Valdet Bajrush Rama, njëzet e një vjeç, nga fshati Likoc, komuna e Skënderajt. kishte mbi dhjetë plagë të rënda.

Ndërsa Ferid Skënder Tafallari, tridhjetë e pesë vjeçar, nga Prizreni, kishte shumë plagë dhe gjakderdhje të mëdha, Halit Tafil Ndrecaj nga fshati Matiqevë, komuna e Therandës, u plagos në këmbën e majtë, Bekim Skënder Lota nga Gjakova, u plagos në kokë, Muhamet Ali Zymi nga fshati Demjan, komuna e Gjakovës, u plagos në kokë eshumë të tjerë.

Vraponim në drejtime të ndryshme, pa marrë frymë, si të çmendur, dhe pa e kontrolluar veten. S’dinim nga t’ia mbanim për të shpëtuar kokën.

Vrapuam përkulur me dysh, mes plumbave që fishkëllenin përreth kokave tona. Gjatë bombardimit nga NATO ishin hapur disa vrima të mëdha në muret rrethuese të burgut. Unë, së bashku me Petrit Sami Këpuskën, Bekim Sami Musën, Ferhat Ethem Lluhanin, Përparim Kenan Efendiun dhe disa shokë të tjerë, menduam dhe planifikuam si të arratisemi nga mesi i natës.

Nuk kishte mundësi për të ikur sepse jashtë burgut kishin hapur istikame dhe ishte rritur numri i paramilitarëve, policëve dhe i civilëve serbë dhe malazez të armatosur.

Gardianët dhe ordinerët të mbushur dhe të ngarkuar me urrejtje nacionale, sulmonin të tërbuar nga të katër anët sikur bënin gara për gjah se kush do të vriste më shumë shqiptarë. Burgut i vinte erë gjaku njeriu. Çka duhet të bëjë njeriu që të mbetet njeri?

Vrapuam në drejtim të kuzhinës së rrënuar. Ilir Damon Damonaga na bënte me dorë dhe thoshte:

“Ejani këtu, se është vend më i sigurt”.

Nga vëzhgimorja nr.3 ordineri malazez Aca Paviçeviq, i veshur me uniforma të gardianëve, e goditi Ilirin për vdekje me plumb në kokë, me një pushkë precizioni. Aca nuk e kishte më larg se njëqind hapa. Iliri lëshoi një ofshamë.

E qëlluan. E qëlluan – bërtitën…

Plumbi i nxehtë e përshkoi tejpërtej kokën e tij, dhe një vrushkull gjaku ia qulli këmishën, xhaketën. Ai u lëkund duke u thyer në gjunjë, i kthyer gjithnjë nga vrasësi i tij. Pastaj u palos pa frymë me ballin e mbështetur në tokë, me dorën e djathtë të shtrirë përpara. Iliri kishte rënë disa hapa larg meje. E tunda nga shpatullat. Ai nuk lëvizi. Mbi të gjithado të flijohej për kauzën e shenjtë të lirisë. Një karakter i fortë e i palëkundur, i mbajtur fort pas vetëdijes qytetare dhe principeve morale.

Iliri sikur deri atëherë të mos e kishte njohur vdekjen. Pastaj ia kishin hedhur një batanije përsipër, mbështjellë këmbë e kokë.

E kuptuam se çka do të thotë frikë. Mos u dëshpëroni, vdekja s’është asgjë. E vetmja gjë e keqe është të vdesësh në duart e këtyre katilave të pashpirtë. Vrasjet në masë, masakra e qindra shqiptarëve e bënin Dubravën një vend të kobshëm që mbante erë vdekje.

Brenda pak orësh nga krimet zbulohet një peizazh i ri i krimeve monstruozë. Me ditë të tëra të vrarët i linin të hapur, skelete dhe trupat që të kalben në sytë e të gjithëve. Këto ishin njëra prej metodave shumë brutale të poshtërimit.

Menduh Duraku, Skënder Xhiha, që e mbante në dorë një shishe plastmasi dhe Iliri ishin afër njëri tjetrit dhe bisedonin. Ndërkohë ordineri që qëndronte në vëzhgimore dhe na përcillte se çfarë po bënim, hapi dritaren, u ngrit në këmbë, nxori jashtë dritares tytën e pushkës me dylbi dhe mori në shënjestër Ilir Damon Damonagën.

Menduhu i tha Ilirit:

“Eja me ne, se gardiani e hapi dritaren dhe, siç duket, do të na vrasë!…”

Iliri u përgjigj:

“Jo, jo, unë po rri këtu”
Pas dy – tre sekondash Iliri ra. Menduhu u tmerrua, iku me vrap dhe ra në pusetë. Skënder Xhiha u fsheh prapa murit…

Skënder Hilmi Sina dhe Agron Faik Pula e mbuluan me batanije. Në oborr qarkullonin gjithfarë zërash: Disa thoshin se kufoma duhet dërguar në shtëpinë e Ambulancës në infermieri, të tjerët në kuzhinë. Myhedin Xhelal Gutën nga vëzhgimorja nr. 5 gardiani e goditi për vdekje me plumb në shpinë.

Pas disa minutash nga e njëjta vëzhgimore nr. 3 është goditur për vdekje me plumb në kokë, me pushkë snajper, edhe Ramiz Ramë Memia nga Tropoja – Shqipëri. Këtë e ka parë Luan Sylë Bajrami nga fshati Babaj i Bokës, komuna e Gjakovës.

Ne u vendosëm në bodrumet e kuzhinës dhe në disa dhoma pune më pak të dëmtuara. Kudo kufoma të përgjysmuara. I gjithë terreni kundërmonte erë të rëndë kufomash të njerëzve të vrarë më parë. Nxehtësia e bënte të padurueshme kundërmimin e mishit që po kalbëzehej. Mbi të gumëzhinte një zulmë mizash të zeza që kërkonin të gjenin një të çarë në plagë që e lëshonte atë kundërmime.

Dy veta bënë vetëvrasje për të mos rënë në duart e serbëve, njëri ishte Rrahim Smajl Murseli,nga Ferizaji. Ndërsa një i burgosur tjetër u godit nga infarkti dhe vdes. Menduam se nuk kishte ferr, por ne ishim brenda tij. Derrat e ferrit largohen nga vendi i krimit. Ndërkohë, brenda në dhomat e bodrumit të kuzhinës, Arsim Kullashi dhe Maki Begolli nga Peja i hoqën kapakët e dritave të neonit, dolën në oborr dhe shkruan me shkronja të mëdha:

“Help NATO!”

“Mbrojtje për 980 shqiptarë”

Ndjeja dhimbje therëse në gju dhe s’mund ta mbërtheja dot këmbën e djathtë, sidomos kur ecja. Rrjedhja e gjakut më ishte qetësuar. Plaga nuk ishte e thellë, por e ënjtur. Gjurin e kisha lidhur me një leckë të vogël çarçafi të jodizuar. Gjithnjë duke i vëzhguar grupet e paramilitarëve që hynin e dilnin nga burgu. Më kuptoni apo jo, lexues të nderuar? Kjo nuk ishte lojë, mund të shpjegohet shkencërisht…

Frika ishte e madhe, por për fat, morëm një iniciativë të marrë, ishte më shumë se çmenduri, megjithatë nuk kishte kohë për t’u menduar shumë. Vështirësitë shtoheshin, mund edhe të vdisnim nën breshëritë e rojave, por të paktën për një ditë, një ditë të vetme ia dolëm t’i jepnim një kuptim jetës sonë, vetëm për një ditë! U ngrita edhe unë, së bashku me Makin, Arsimin, Blerimin ecëm këmbadoras drejt grumbullit të të vrarëve.

Arritëm t’iu jepnim ndihmën shokëve në terrenet e hapura sportive. Ndihma po ecte mbarë për ne, po jepte frutat e veta. E vërteta qe se asnjë nga oficerët apo gardianët e shërbimit nuk mendonin kurrë se ca të burgosurish, të torturuar deri në palcë, të paushqyer, do të kishin ende fuqi të ndihmonin të plagosurit me atë vendosmëri deri në vetëmohim.

Aty u gjunjëzova dhe fillova të lutesha. Jo, nuk jam i çmendur, gjithçka që pashë, është e vërtetë. O Zot im, më erdhi fundi. Të lutem na qëndro pranë nesh dhe na jep kurajë! Vdekja nuk duhet të na gjejë të papërgatitur. Sa herë që marrë frymë më duket sikur po më shkulet zemra.

Zvarritemi, ndalemi, mbështetemi mbi duar, prapë zvarritemi ca më tej. Vazhdojmë t’i afrohemi. Ajo rrugë ishte tepër e gjatë, tepër e llahtarshme.

Presim e vazhdojmë. Në trupat tanë na ishte mbledhur një energjie tillë, se a do të kemi forcë që t’i bartim ata të plagosur e t’i marrim me vete. Më rrodhen ca pika lot. Si ta përshkruaj skenën e llahtarshme që u hap para nesh? Të plagosurit mbetën të shtrirë kudo. Kur u afrova, i gjeta të zhytur në pellgje të stërmëdha gjaku.

Shikoni, shikoni. Thertore e vërtetë. Sytë tanë dukeshin sikur vështronin gjithçka dhe njëkohësisht grumbujt e trupave të vrarë.

“O Zot! Kjo nuk është shaka! Të gjithë i paskan vrarë!” – tha Arsim Agush Kullashi.

Edhe ne ishim aq pranë. I trembur, nuk dalloja asgjë përveç kufomave.

Fillova të ecja me hap më të shpejtë dhe e kuptoja se po hyja në pjesën më të thellë të kufomave. Ishte dhjetë metra larg një i burgosur, qëndronte hije rëndë në gjunjë që mbahej me dorën e majtë në tokë. Kokën e kishte të përkulur përpara. Flokët i kishte të zinj dhe pak të dredhur.

Eca drejt tij me hapa të ngadaltë. I plagosuri i hodhi sytë qetësisht nga unë, që shprehnin “ndihmë”. Ishte i shtat hollë dhe i mesëm, kishte një trup prej atleti. Dorën e djathtë e kishte futur në trup. Shtrëngoi fort mbi plagë dhe lëshon një rënkim të thellë. Ishte plagosur në gjoks dhe fytyrën e kishte të gjakosur. Mëngën e xhaketës e kishte të qullur nga gjaku. Dhe ai e ndjeu se po e linin fuqitë. Vura re se buzëqeshja e tij po shuhej. Mori frymë thellë dhe lëshoi një psherëtimë lehtësimi. Foli me një zë të qetë, të ulët. Dukej se i lutej dikujt. Ai e hodhi edhe një vështrim të fundit, tundi kokën dhe heshti, u përpëlit pak duke pështyrë gjak nga goja dhe u shemb përtokë me një klithmë: oh! I mbylli sytë, qerpikët nuk i dridhen dhe priti vdekjen që po i afrohej.

Nuk ia mësova dot emrin e tij, ndoshta edhe s’do ta harroj kurrë.
E gjithë burgu ishte një skemë krimi. Rënkimet e të plagosurve ishin të tmerrshme në mes kërcitjes së pushkëve snajperë dhe automatikëve, ndërsa gjymtyrët e tyre përdridheshin dhe përpëliteshin në grahmat e vdekjes. Veshët më buçitnin. Duhet të vepronim në zigzag me ngut për t’i shpëtuar qitësve dhelpër t’i tërhequr pas të plagosurit. Duhej të vepronim shpejt, para se të na qëllonin me pushkë me dylbi snajper. Në atë çast një pushkë precizoni që kishte zënë vend në një të çarë të murit qëlloi dhe fishkëllima e mprehtë u lëshua mbi kokat tona përsipër. Edhe një plumb tjetër fishkëlleu, një paralajmërim mbi kokat tona.

“Atëherë, shkojmë shpejt!” – tha Arsimi.

Plumbat fishkëllyen përreth. Zoti i dëgjoi lutjet tona. Jo aq larg sa nuk e pamë dot me sy të lirë, një automatik gjëmoi mbi muret e ndonjë pavijoni.
Megjithatë ishte vështirë të gjeje vend ku të vije këmbët nga trupat e të vrarëve dhe nga gjaku. Gjaku ende nuk ishte tharë. Gjak i freskët, përjetësisht. O Zot, pashë gjakun e freskët që rridhte, rridhte… Të plagosurit rëndë luteshin që t’i vrisnin për t’iu dhënë fund vuajtjeve. Trupa të sfilitur, të shtrembëruar e tërë plagë të rënda.

Në atë çast erdhi nga larg një rënkim, ishte një vajtim i fortë e kumbues. Ishte një e qarë e mbytur me zë një prej të riu, një ngashërim që u pre nga grahma e vdekjes. Ishte i ri, shtatlartë, i thatë, ndoshta e dinte që nuk do të kthehej më në shtëpi, që do të vritej nga një minahedhës. Me të arritur, pak hapa larg tij, një i plagosur me vështrim të ngulët lëshoi një rënkim dhembjeje e u përpoq të ngrihej mbi bërryla, mirëpo fuqitë e tradhtuan.

Kishte pamje prej një të riu, edhe pse i kishte kaluar të dyzetat. Ishte bërë i verdhë dyllë, ngjyra e vdekjes kishte zbritur mbi ballin e tij, duke ia shuar sytë. Flokët i kishte pak të thinjur. Pas pak, u shtri përsëri në kurriz dhe mbylli sytë. Ai ishte duke vdekur. Të plagosurit përpiqeshin të ngriheshin, më kujtonte Feniksin që ngrihej nga hiri.

Nipi më këshilloi që të kem kujdes mos ta shkel gjakun me këmbë. Aty afër, te këmbët e mia, pashë një të plagosur rëndë. Një burrë të gjatë e gjeta zhytur në një pellg me gjak. Gojën e kishte me të kuqe dhe buzët të gjakosura. Madje gjaku i rridhte, rridhte çurg për gjatë mjekrës, deri në qafë. Ishte i zbehtë shumë. E kuptova menjëherë se plagët ishin të rënda dhe kishte humbur shumë gjak. U përkula dhe pashë se copat fluturuese të predhave ia kishin thyer këmbën. Cifla kockash i dukeshin nga mishi i shqyer të përziera me gjak. Një plage të tillë s’kishte si t’i bënte ballë. Dëgjova një zë të ngjirur të një burri të plagosur në bark dhe në anën e djathtë të kokës syri i varej mbi faqe. Të gjithë u ndalëm dhe hodhëm sytë andaj nga vinte zëri.

“Më jepni ujë, ujë… I kam buzët e thara, kam shumë etje!” – na tha.
Je i plagosur rëndë – i thashë.

Një i plagosur në bark nuk duhet të pijë, – i thashë më zë të ulët, duke u përkulur mbi të e duke i përkëdhelur ballin.

E bartëm me batanije dhe ai vdes pas pak në korridorin e ambulancës. Ja dhe një tjetër, ishte i vdekur. I kishte sytë të zgurdulluar, me gojën gjysmë të hapur, me krahun e djathtë të shtrirë në bar.

Të tretë vrapuam zig-zag drejt ambulancës, përmes kufomave të përthyer nën peshën që mbanim. Aty çdo gjurmë mëshire e dhimbjeje ishte zhdukur.

Kthehemi përsëri për të mbledhur të plagosurit dhe të vdekurit. Vazhduam heroikisht të ndihmonim të plagosurit. Kërkojmë me dëshpërim nëpër gjithë terrenin. Nxitojmë përgjatë të vdekurve, duke parë fytyrat e të plagosurve, gjymtime, që zvarriteshin me vdekjen. Dëgjoj të vetmit tinguj, ishin fishkëllimat e plumbave. Të plagosurit rrinin të shtrirë mbi trupat e shokëve të tyre, që kishin vdekur, ose ishin gati duke vdekur. Nganjëherë mbyllja sytë, duke e humbur realitetin! Vështrova kasaphanën dhe mërmërita:

“Mallkuar qofsh, Svetllan Matanoviq – alias Dritani!”
Dridhesha. Nuk mund t’i shihnim, por i dëgjonim mirë zërat e hallakatur të të plagosurve, thirrjet. Zëra të ankthshëm thërrisnin:
“Na ndihmoni, na ndihmoni!”

Dhe zëra të tjerë, duke pasuar njëri-tjetrin. Aty gjetëm Bujar Adem Himajn nga fshati Skivjan, komuna e Gjakovës, ishte plagosur në këmbën e djathtë dhe në gjoks. Copa e predhës fluturuese i ka hyrë dhe i ka dalë anë e përtej. Bujari vdes më 10 qershor 1999, në orën 19:00, në burgun e Pozharevcit (Serbi) nga goditja me shkop gome nga gardiani (në anën e pasme të kokës, në trurin e vogël). Brahim Selman Isufaj nga Deçani ishte prapa tij kur e goditi gardiani. Edhe ky ishte i plagosur në këtë masakër me dy plumba në shpatulla pas shpine. Ende sot të dy plumbat i mban aty.

Një nga të plagosurit rrinte i ulur mbi bar. I shtangur dhe u kthye na vështronte. Me duart e mbështetura në gjoks, paksa poshtë sqetullave shtrëngonte gjaku që i rridhte. Frymëmarrja i dilte si regëtimë nga gryka. Nuk mund të merrte frymë. Një ditë më vonë, në korridorin e ambulancës, vdes. Aty afër ishte edhe një i vrarë. Plumbi nga një e çarë e murit e kishte goditur në pjesën e pasme të qafës. I vrari kishte rënënë gjunjë mbi bar dhe gjaku i kishte dalë nga goja e hapur. Në dorë mbante një batanije. Një i burgosur e kishte ballin të çarë nga një goditje e me një copë fluturuese predhe dhe i plagosur në supe dhe në shpatull. Një i plagosur hiqej zvarrë në bar, tmerrësisht i zbehtë dhe i mbaruar. Duhet të kishte vdekur! Dorën kishte vendosur mbi zemër. Trupi i një të burgosuri tjetër ishte plandosur përmbys, gjaku dhe lënda e verdhë trunore ishte përhapur mbi bar. Një djalosh rreth njëzet vjeç, flokë gështenjë, me sy të zinj, me një nënqeshje të ftohtë e të padjallëzuar, rrinte i ulur mënjanë, duke u mbajtur me dorën e majtë në tokë, pranë vendit ku isha unë. Vështrimi i errët i të plagosurit u ndez, uli kryet dhe me një zë të humbur pëshpëriti. Pas pak lëshoi përsëri një psherëtimë:

Ujë!
Qëndroi pak në heshtje përsëri, duke e mbajtur frymën e pastaj tha me zë të humbur:
“Më vranë katilat… Nuk dua të vdes këtu!”
Një cope e madhe predhe fluturuese e kishte goditur në sup dhe dy të tjera në kraharor. Pori plagosuri nuk qëndron më, ul kryet dhe jep shpirt. Koka e mënjanuar me gojën hapur dukej sikur rënkonte. E ktheva me kujdes me kokën e tij lart. Vdiq i vrarë më 22 maj 1999. Zëri i tij nuk më la asnjë minute të qetë, ndjeja një dhembje të thellë në shpirtin tim, isha gjysmë i vdekur. Këtu pashë edhe një djalosh tjetër fatkeq, të mbytur në gjak në pjesën e pasme të kraharorit dhe të shpatullës. Zemra më rrihte si çekan dhe fryma ime dëgjohej nga larg, më dukej sikur më ngriu gjaku në dej. Dita ditës më hante shpirtin edhe për shumë të tjerë të sakatosur. O Zot i madh, pse, pse? – vazhdova të mërmërisja unë.

O Zoti im, a e kanë plotësuar listën e tyre të përgjakshme? – thashë me vete.
Këto gjëra ishin përtej koncepteve të mia. Vdekja ishte kudo. “Prisnim” për të vdekur edhe për të jetuar. Zonja vdekje nuk është aspak frymëzuese! Zoti më dha forcë që t’i përballoj dhe t’i lexoj të gjitha vuajtjet dhe këto t’i gërvisht me majën e trash në ditar.
Ata qëndronin shtrirë, i dëgjoja të merrnin frymë. Dëgjoja një fërshëllimë të ngjirur të kërcëllonte nëpër dhëmbët e tyre, ndieja vështrimet e tyre mbi mua, sytë e tyre flakë nga dhembjet që më shponin gjoksin. Dita ishte shuar, ngjyra e barit ishte skuqur.

Gjatë evakuimit shumica e tyre na vdisnin në duar. Në fund të fundit, më 22 maj, përfundimisht, me dorën time i kisha numëruar 171 shqiptarë të vrarë, duarthatë. Ishte e pamundur t’i numëroje të gjithë, sepse nëpër vëzhgimore qëndronin vrasësit tanë me pushkë snajper.
Në të katër anët kufoma të sakatosura. Nuk arrita t’i numëroj as ata që ishin vrarë afër vëzhgimoreve. Shoku im i dhomës, Xhemajli Hamid Thaqi, së bashku me një të burgosur të vjetër nga fshati Zhur, komuna e Prizrenit, me profesion hoxhë, i kthenin të vrarët e besimit mysliman nga kibla, ndërsa dr. Pashk Prenk Quni nga fshati Doblibarë, komuna e Gjakovës, të vrarët katolikë i mbulonte me batanije. Xhemajliu kishte arritur t’i numëronte 173 shqiptarë të vrarë. Ky i fundit në duar mbante një fletore me stilolaps dhe është munduar të shënonte me radhë e me kujdes emrin, mbiemrin e çdo të vrari, nga cili qytet apo fshat ishte, nga kush ishin vrarë e masakruar. Si mund t’i bindësh njerëzit se jetërat e njerëzve shuhen aq lehtë, si gjethet kur bien në vjeshtë. Kjo skenë nuk mund të përshkruhet me pak fjalë, por nuk mund të përshkruhet as me të gjitha fjalët e botës, nga penat më të fuqishme.

Një ditë më parë, nga fundi i ditës, dëgjuam se kishin gjetur e parë një kufomë shqiptari, në një rrjedhë uji. Ishte i hedhur dhe afër tij ishte një qese plastmasi me rrobat e tij. Trupi ishte i skuqur dhe mbuluar me gjakun e tij. Si duket ishte therur me thikë. Xhaketën e kishte të shqyer në disa vende, në shpinë dhe në gjoks. Unë nuk munda të rrija i qetë dhe u largova nga kuzhina, së bashku me nipin tim – Makin. Afër pavijonit “D” pamë trupin e një djaloshi rreth tridhjetave. Ishte flokëzi, i kthyer me fytyrë nga toka dhe i gjakosur. Teksa u përpoqëm që ta rrotullonim për ta njohur, gardianët bërtisnin dhe na qëllonin me automatik. Plumbat fluturonin mbi kokat tona.

Ndër të parët që i bartën të vrarët dhe i ndihmuan të plagosurit qenë: Maki Ismajl Begolli, Arsim Agush Kullashi, nga Peja dhe Afrim Shefqet Caka. Pasi i kemi bartur trembëdhjetë të vrarët e parë kanë ardhur edhe Hekuran Fatmir Qarri, Remzi Zejnel Tetrica, Esat Xhemajli Shehu, Xhemajli Hamid Thaqi nga Gjakova, Luan Sylë Bajrami nga fshati Babaj Bokës, komuna e Gjakovës, Avdija Shaban Mehmedoviq nga Prishtina, Isuf Ali Zeka nga fshati Lëbushë, komuna e Deçanit,e të tjerë të cilëve nuk ua di emrat.

Në një dhomë të vogël përballë derës kryesore të kuzhinës u vendosëm këta të arrestuar: Unë – Afrim Caka, Agron Pula, Dukagjin Pula, Skënder Sina, Mehdi Ferizi, Yll Ferizi nga Gjakova, Maki Begolli, Arsim Kullashi, Blerim Krasniqi nga Peja, Bajram Muharrem Mustafaj, Izet Sadik Sejfia nga Peja etj. Gjithsej ishim 19 veta.

Policët dhe gardianët vëzhgonin situatën dhe kërkonin gjahun për të bërë sulmin tjetër. Ne psikikisht ishim të humbur e të traumatizuar, të uritur. Kërkonim shpëtim. Disa bënin roje. Hapet depoja për të marrë ushqime të konzervuara, ndërkohë që hanim pranë kufomave që kundërmonin erë të keqe. Hanin gjithçka që gjenin. Brenda në depo gjeta tetëmbëdhjetë vezë të qara, i mora gjashtë dhe i skuqa, nga ato përgatita një omëletë, i hëngra pa bukë, se s’kisha. Aty ishte edhe një thikë. Nga përdorimi i gjatë, tehu i saj ishte holluar shumë. Kjo thikë kishte një pamje jashtëzakonisht të frikshme, kështu trupin ma përshkoi një drithërimë.

Pasdite, Fadil Sadik Avdyli nga fshati Shishman, komuna e Gjakovës, në oborr, duke e hapur një kapak pusete për t’i nxjerrë dhe shpëtuar vëllezërit Jetishi, është plagosur në veshin e djathtë dhe në pjesën e poshtme të këmbës së djathtë nga copat fluturuese të një rakete dore, e cila e goditi murin aty afër.

Disa kishin ikur nga burgu. Orët kalonin. Rritej pasiguria, ndërsa ne kërkonim strehim duke hyrë nëpër puseta dhe tunele nëntokësore apo në sallën e bibliotekës. Në sallën e bibliotekës ishin të varura shumë vizatime dhe piktura të punuara nga vetë të burgosurit. Njëra nga to ishte e Mentor Hamëz Kaçit, nga Gjakova, i burgosur politik shumëvjeçar në vitet e tetëdhjeta.

***Rrëfimi është shkruar nga i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Afrim Cakaj

Exit mobile version