Site icon Prishtinapress

Rrahman Rama tregon rolin e FSK-së nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama thotë se ushtria nuk do të demonstrojë forcë, në rast të një gjendje të jashtëzakonshme në vend. Në një situatë të tillë, thotë ai, nuk do të bëhet një izolim klasik veçse do të jenë disa kufizime në të mirë të shëndetit të qytetarëve që mos të përhapet COVID-19 që tashmë ka infektuar 19 persona në Kosovë. Komandanti i Forcës thotë se në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, FSK dhe institucionet e tjera do të bashkërendojnë veprimet në mënyrë që t’u dilet në ndihmë qytetarëve.

Gjeneral Rama thotë se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, si shkak i situatës së krijuar me koronavirus, nuk duhet të shihet si masë drastike ku ushtria do të demonstronte forcë.

“Duhet ta kuptojmë që ushtria nuk arreston njerëz, duhet të kuptojmë, ushtria është në shërbim dhe kemi Policinë e Kosovës, do të koordinohemi dhe bashkëpunojmë me ta por institucionet e tjera. Nuk duhet të merret kjo si masë drastike dhe ne do të demonstrojmë forcë ndaj qytetarëve tonë, ne jemi të qytetarëve, ne i kryejmë obligimet tona kushtetuese dhe ligjore me mirëkuptim dhe asnjë njeri normal nuk ka dëshirë ta ketë një gjendje të jashtëzakonshme, kjo ka ardhur prej natyrës, është fatkeqësi natyrore. Gjithçka që jemi duke bërë jemi bërë për të mirën e vendit dhe qytetarëve, ky është qëllimi, e di që mund të ketë spekulime, janë të qartësuara obligimet e detyrat që dalin edhe për FSK-në edhe institucionet e tjera. Ne të vetëm nuk mund të përballojmë këtë situatë ku jemi”, thotë gjeneral Rama.

Komandanti i FSK-së, në një intervistë për KosovaPress, thotë që e ka parasysh se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë do të ishte një masë e re por që sipas tij nuk duhet krijuar panik sepse në atë formë vetëm do të kryheshin obligimet e të gjitha institucioneve siç parashihen me kushtetutë, e që do të shërbenin në të mirë të qytetarëve.

“E kuptoj që është një masë e re që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë, por nuk e kemi pas ushtrinë e Kosovës. Kjo është edhe një lloj testi i jonë, ne i kemi marrë masat dhe jemi duke i bërë planet tona, duke shkuar në atë nivelin më të lartë të rrezikshmërisë por edhe nivele të tjera, por ka forma edhe metoda por nuk do të jetë një izolim klasik por do të jetë FSK dhe institucionet e tjera do të jenë në bashkëpunim dhje koordinim dhe do t’u dalin në ndihmë qytetarëve të vendit varësisht nevojës që kanë”, shton Rama.

Komandanti i Forcës, që është anëtar i Këshilli i Sigurisë, thotë se qëllimi është që qytetarët të vetëdijesohen, të zbatojnë rekomandimet e qeverisë në mënyrë që mos të përhapet virusi.
“Do të jenë disa kufizime nëse e shohim rasti ne Gërmisë dje, ose edhe në shumë parqe në nivel të Kosovës, nuk është qëllimi që ne në kuptimin të izolojmë ata, por qëllimi ynë kryesor është t’i vetëdijesime njerëzit që nuk kanë nevojë të dalin sepse i ndihmojnë edhe vetës, edhe familjeve të tyre por edhe neve si institucione që ta kryejmë detyrën dhe obligimin tonë që e kemi kushtetues dhe ligjor”, shton Rama.

Gjeneral Rama thotë se FSK do t’u dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim, kur pyetet për pjesën veriore të vendit, shton se Forca i koordinon aktivitetet edhe me faktorin ndërkombëtar.

“Të gjithë qytetarët pa dallime që janë pjesë e Kosovës , ne varësisht prej nevojave do t’u dalim në ndihmë. Koordinimi duhet me të gjithë akterët, nuk është ndonjë interes që ne të krijojmë një gjendje jo normale, por ne e kemi një problem, që është në këtë rast virusi, që ne do i marrim të gjitha masat me kapacitetet tona, bashkërisht me të tjerët, që ta parandalojmë dhe tejkalojmë këtë situatë sa më lehtë që është e mundshme”, thotë ai.

Komandanti i FSK-së thotë se kanë kapacitete mjekësore, logjistike e njësi specialistike për materie të rrezikshme, dhe që të gjitha janë në dispozicion të institucioneve nëse nevojiten.

Ndërkohë nuk beson që do të jetë e nevojshme të përdoren kazermat e FSK-së si karantinë, por shton se janë në dispozicion.

Më 13 mars në Kosovë u identifikuan rastet e para të prekura me koronavirus.

Deri sot numri ka shkuar ka 19 të prekur, ndërkohë që për shkak gjendjes së krijuar me koronavirus, presidenti ka propozuar të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend.

Këtë nuk e ka përkrahur kryeministri i Kosovës, ndërkohë qe vendimin e merr Kuvendi në votim me dy të tretat.

Kujtojmë që sipas Kushtetutës së Kosovës, gjendje e jashtëzakonshme mund të shpallet kur cenohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, siguria ose cenimi i sovranitetit dhe integritetit të vendit, dhe në raste të fatkeqësive./kp/

Exit mobile version