Cristiano Ronaldo ka vazhduar të shkëlqejë me formë të lartë duke i ndihmuar Real Madridit me dy gola ta mposhtë Alavesin të shtunën pasdite në “Santiago Bernabeu”.
Madridi e priti në “Santiago Bernabeu” Alavesin në një ndeshje në kuadër të javës së 25-të të La Ligës spanjolle, të cilën e fitoi 4-0, raporton Express.
Sulmuesi portugez Cristiano Ronaldo hapi serinë e golave në minutën e 44-të, duke realizuar me të majtën pas një asisti të bukur të Karim Benzemas. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për një Real shumë dominues.
Djelmoshat e Zinedine Zidane e nisen pjesën e dytë aty ku e lanë të parën, kur Gareth Bale shënoi për 2-0, pas një asisti nga Benzema përsëri.
Cristiano e arriti golin e dytë në këtë ndeshje dhe të 14-n në La Liga këtë sezon, pasi shënoi për 3-0 për Realin në minutën e 61-të.
Benzema, i cili e meritoi golin në këtë ndeshje pas një paraqitje mjaft të mirë, shënoi për 4-0 në minutën e 89-të nga penalltia.
Reali tani ka 51 pikë në vendin e tretë në tabelë, 11 më pak se lideri Barcelona.
Alaves nuk lëviz nga vendi i 16-të me 28 pikë.