Site icon Prishtinapress

Real Madrid – Barcelona, vazhdon dueli në distancë në La Ligë

Një ndeshje shumë e vështirë e pret Realin e Madridit, në fushën e Sevillas.

Mesjava në La Liga pritet të dhurojë një spektakël të vërtetë. E ku ka më mirë se loja e mrekullueshme që ofrojnë Reali i Madridit e Barcelona.

“Blaugranat” vijnë pas barazimit zhgënjyes në shtëpi me Gironën 2-2, ku luajtën për 55 minuta me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Lenglet. Kampionët e Spanjës do të ndeshen me Leganes të vendit të fundit në renditje, ekip i cili ka marrë vetëm një pikë në pesë ndeshjet e para.

Kjo do të jetë ndeshja e pestë gjithsej mes 2 skuadrave, me Barçan që i ka fituar të gjitha takimet e kaluara. Gjithsesi, interesant është fakti se trajneri i Leganes, Mauricio Pellegrino, nuk është mposhtur asnjëherë nga kolegu i tij, Ernesto Valverde, e gjithashtu i ka shkaktuar një humbje surprizë ekipit katalan 2-1 në vitin 2016, kur drejtonte Alaves. Pritet që Messi me shokë të arrijnë fitoren, pas ngecjes me Gironën, por në futboll asgjë nuk është e pamundur.

Një ndeshje shumë e vështirë e pret Realin e Madridit, në fushën e Sevillas. “Los Blancos” vijnë pas fitores minimale 1-0 kundër Espanyolit, ndërkohë që andaluzët mundën me thjeshtësi 2-6 Levanten. Skuadra e Lopeteguit nuk fiton në “Ramón Sánchez Pizjuán” prej 3 vitesh e në takimin e fundit humbën me rezultatin 3-2, transmeton “SS”.

Trajneri i Sevillas, Pablo Machín, ka fituar e ka humbur nga një herë kundër Realit në kohën kur ishte tek Girona, me fitoren e cila ndodhi në vitin 2017, kur ekipi luante për herë të parë në histori në La Liga. Kjo pritet të jetë dhe ndeshja më emocionuese e javës së 6 në kampionatin spanjoll.

Të dyja sfidat do të transmetohen në Supersport, Leganes-Barcelona në orën 20:00 e Sevilla-Real Madrid në orën 22:00.

Nga Seria A gjithçka nis në prën 19:00 me Udinese-Lazio, një përballje mjaft interesante, ku është e vështirë të bësh parashikime, pasi të dyja skuadrat vijnë pas një momenti pozitiv. Seria A kulmon në mbrëmje me 4 ndeshje, që do të luhen në orën 21:00.

Juventusi, kampion në fuqi, pret Bolognan në “Alliaz Stadium”, ku synon të marrë tri pikët e radhës. Napoli-Parma, që do të luhet në “San Paolo”, është tjetër takim interesant i kësaj jave të 6-të, aq më tepër që të dyja skuadrat vijnë pas dy fitoreve radhazi.

Roma do të presë në “Olimpico” Frosinonen, që mund të konsiderohet shansi i fundit i trajnerit Di Francesco, pas zhgënjimit të madh të këtij fillimsezoni, ndërsa në Bergamo do të luhet Atalanta-Torino.

Nga Bundesliga, nëpërmjet kanalit të Eurosport 2, vijnë dy takime, në orën 18:30, Dusseldorf-Leverkusen dhe në 20:30, Dortmund –Nurenberg. Ligue 1 përfaqësohet në ekranin e Supersport këtë të mërkurë nga dy sfida, në orën 19:00, Dijon-Lyon dhe në orën 21:00, PSG – Reims.

Exit mobile version