Site icon Prishtinapress

Reagon Policia e Kosovës: ‘Kurir’ po dezinformon – Ambasada holandeze nuk është gjuajtur me armë

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi, ka sqaruar opinionin lidhur me lajmin dezinformues të publikuar në portale serbe, për kinse sulm me armë në ambasadën Holandeze.

Lexoni më poshtë të plotë sqarimin e policisë:  

Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me lajmin dezinformues të publikuar në disa portale serbe, ndër to në portalin serb “Informer” ku thuhet “Kaos në Prishtinë: Njerëz të maskuar gjuajnë me armë në ambasadën Holandeze” në Prishtinë, reagon fuqishëm ndaj këtij lajmi dhe sqaron me sa vijon:

Policia e Kosovës bën me dije dhe sqaron se lajmi i publikuar është një dezinformacion, nuk paraqet informacionin real dhe se nuk ka pasur asnjë gjuajtje apo të shtënë me armë zjarri në ambasadën e Holandës në Prishtinë.

Sot rreth orës 17:50 është raportuar për një gjuajtje me armë e cila dyshohej të ketë ndodhur në një shtëpi private në Velani të Prishtinës.

Policia e Kosovës me të gjitha njësitet relevante policore menjëherë kanë shkuar në atë lokacion, dhe nga verifikimet e para dyshohet se nga ballkoni i një shtëpie një person ka gjuajtur me armë në ajër, në drejtim të panjohur, por që fare nuk ka të bëjë me ambasadën në fjalë.

Vlen të potencohet se nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

PK ka kryer bastisje në shtëpinë e dyshuar dhe në vend ngjarje ka gjetur dy gëzhoja, përderisa është në kërkim të personit të dyshuar i cili është i njohur për policinë.

Prandaj, konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejt dhe korrekt, e jo të dezinformohet përmes informacioneve të pavërteta.

Exit mobile version