Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për pensionistët që dalin nga shtëpia, duke theksuar se shkalla e rrezikut për ta është shumë e lartë.
Rama gjatë monitorimit të zbatimit të urdhrave për të qëndruar në shtëpi, ka këshilluar qytetarët që ka ndeshur rrugës, sidomos të moshuarit që të mos dalin, por të qëndrojnë në shtëpi.
Kryeministri ka publikuar disa fotografi nga takimi me qytetarët, ndërsa thekson se në disa tregje situata ishte mjaft pozitive.
“Problem pensionistët që dalin nga shtëpia, çka është e ndaluar, sepse sepse shkalla e rrezikut për ta është shumë e lartë. Respekt maksimal për rregullat dhe durim, durim, durim”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se, “duke qenë se ju njoh mirë, po i dal përpara duke ju thënë aman, mos më shkruani ku e ke maskën e pse s’ke dorashka. E kemi pērsëritur që maska e dorashkat nuk janë për kalimtarët, por për të sëmurët, ata që kujdesen për një të sëmurë apo ata që e kanë punën me mundësi kontaktesh të afërta në tërësi”.
“Kalimtarët mjafton të respektojnë rregullat, sidomos distancën një metër, mosdhënien e dorës, përdorimin e gropës së bërrylit nëse teshtijnë apo kolliten dhe janë të mbrojturm, tha Rama. /TCH/