7.8 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Qytetarët në Drenas ankohen se po detyrohen t’i blejnë vetë barnat dhe materialet esenciale

Përveç mungesës së mjekeve, Qendra Kryesore Mjekësore Familjare “Dr. Hafir Shala” në Drenas po përballet edhe me mungesën e barnave dhe materialeve esenciale shpenzuese.

Disa qytetarë të cilët kishin shkuar të marrin kujdesin primar shëndetësor në këtë komunë gjatë javës së kaluar janë ankuar në KALLXO.com se janë detyruar që të blejnë produktet shëndetësore vetë.

Njëri nga raportuesit ka deklaruar së është obliguar që të blejë vetë një flaster e cila kushton 30 cent.

Sipas tij, pacientët janë të obliguar që të blejnë edhe sisteme, infuzione dhe kanillë.

“KALLXO” ka kontaktuar me drejtorin e Shëndetësisë, Arsim Haxhiu dhe me drejtorin e QKMF-së, Ismet Bogiqi.

Të dy palët kanë pohuar se ka mungesa të tilla për shkak se furnizimet nga Ministria e Shëndetësisë janë të rralla.

Së fundmi, QKMF-ja ishte furnizuar nga Ministria e Shëndetësisë më 26 mars me vetëm 62 artikuj shëndetësorë nga 193 të cilat i kishin kërkuar nga Lista Esenciale.

Ndërkaq, farmacistja e Barnatores Qendrore në Drenas, Fadile Shala për KALLXO.com ka thënë se për mungesat me të cilët përballen, me disa artikuj edhe me vite, detyrohen që t’i sigurojnë me buxhet komunal për të cilin thotë se është i mangët.

Shala thotë se kanë mungesë edhe të insulinave dhe shiringave.

” Na jemi furnizuar dy-tre javët e fundit, por normalisht që dy-tre ditë nuk kemi. Kemi mungesa për raste emergjente por jo për raste të tjera, për shembull sistemin e infuzionet.  QKMF duhet me pas edhe insulinat, i kam lajmëru edhe MSh, kryetarin, se koha që vjen deri në qershor pritet me pas përkeqësim të furnizmin barnave dhe material shpenzues edhe në insulina. Dy-tre muaj furniziohemi e muajt e tjerë jo. Msh nuk ka sjellë shiringa 10 dhe 5 që tri vjet sa jam unë farmaciste, gjithça duhet vetë nga me i planfiku me buxhet tonë,  e normal që buxhetin e kemi të limitum. Vetëm 20 mijë euro i kemi pas buxhet vitin e kalum”, u shpreh Shala.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se janë duke u zhvilluar edhe procese tenderimi dhe nënshkrim kontratash për të përmirësuar furnizimin.

“MSh është duke bërë analizën e të gjitha produkteve qe mungojnë me qëllim që të sigurohet përkrahja nga Qeveria për përmirësimin e furnizimeve, dhe në të njëjtën kohë, janë duke u zhvilluar edhe procese tenderimi dhe nënshkrim kontratash për të përmirësuar furnizimin”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Ky institucion shëndetësor edhe gjatë muajit prill përmes një komunikate për media kishte deklaruar se vijueshmëria e furnizimit të rregullt me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale gjatë këtij viti rrezikohet seriozisht.

Sipas tyre, Lista Esenciale për furnizim të nivelit primar numëron gjithsej 282 artikuj prej të cilëve 206 janë barna, ndërsa 76 material shpenzues.

Tutje në komunikatë thuhet se numri i artikujve që Ministria e Shëndetësisë momentalisht i ka në dispozicion është 109, apo shprehur në përqindje 38.6 %.

“Buxheti i alokuar për Programin farmaceutik të MSh-së dedikuar për furnizim të institucioneve shëndetësore me barna dhe material shpenzues nga Lista Esenciale për vitin 2021 është 5,550,000.00 euro, ndërsa ai i vitit 2020 ka qenë 11,476,913.90 euro. Numri momental i kontratave të nënshkruara për barna është 24, apo shprehur në përqindje 11.65 %. Numri momental i kontratave të nënshkruara për material shpenzues është 12, apo shprehur në përqindje 15.79 %. Sipas kësaj, qëndrueshmëria e artikujve që MSh ka në dispozicion (109) për shumë artikuj është jo më e madhe se gjashtë muaj (do të shpenzohen brenda kësaj periudhe)”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Më 8 mars 2021, Komuna e Drenasit kishte bërë të ditur Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Hafir Shala”, që nga muaji dhjetor po përballet me mungesë të mjekëve në kujdesin parësor shëndetësor.

Kjo situatë sipas tyre vjen për shkak të inkuadrimit të mjekëve në njësitë e tjera të institucioneve shëndetësore dhe specializimeve të ndara nga Ministria e Shëndetësisë për Kujdesin dytësor dhe tretësor.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles