Site icon Prishtinapress

Qeveria, pa vendim për dorëheqjet e kryetarëve veriorë

Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim nëse do të pranohen dorëheqjet e kryetarëve serbë të katër komunave veriore të ofruara para më shumë se një muaji në shenjë proteste ndaj vënies së taksës prej 100% ndaj produkteve nga Serbiaa.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, ai i Zubin Potokut, i Zveçanit, si dhe kryetari i Leposaviqit në dorëheqje i Republikës së Kosovës i janë referuar si “Kosova e Metohija”, prandaj dorëheqjet janë dërguar në Zyrën e Ligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për t’u vlerësuar nëse janë të pranueshme ose jo.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse së shpejti do të ketë zgjedhje të parakohshme në këto komuna.

Në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kanë dhënë përgjigje nëse është marrë vendimi. Ndërsa në Zyrën e kryeministrit kanë thënë se ende nuk ka vendim.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, ka thënë për “Zërin” se është krijuar një situatë shumë delikate. Megjithatë, ai ka thënë se Qeveria duhet të marrë një vendim për këto dorëheqje.

Kurse njohësi i çështjeve kushtetuese në vend, Mazllum Baraliu, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë urgjentisht sa u përket këtyre dorëheqjeve. Sipas tij, si zgjidhje e kësaj situate duhet të jetë edhe shkuarja e atyre komunave në zgjedhje.
“Qeveria po hesht. Kemi një vakum institucional të veprimit, kështu që do të duhej që sa më parë të vihen mekanizmat ligjorë në veprim dhe ose të shpallen zgjedhjet e parakohshme në ato komuna, ose të gjendet një zgjidhje tjetër adekuate në përputhje me legjislacionin në fuqi. Qeveria nuk i është qasur me seriozitet kësaj çështjeje.

Fillimisht ajo ka deklaruar se dorëheqjet nuk janë adekuate për shkak se nuk përmendin emrin zyrtar të Republikës dhe si të tilla nuk pranohen dhe ky është një lloj neglizhimi i seriozitetit të çështjes”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë se me mosmarrjen e një vendimi për komunat që kanë mbetur pa kryetar është krijuar një ngërç institucional.

Exit mobile version