Site icon Prishtinapress

Qeveria nënshkruan marrëveshje me bizneset shqiptare në Gjermani

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar sonte marrëveshje me Unionin e Bizneseve të Gjermanisë.

Qeveria i ka dhënë në dispozcion bizneseve të diasporës Parkun e Bizneseve të Malishevës. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, u tha se ky është hap konkret i qeverisë së Kosovës për t’u afruar me bizneset e diasporës dhe për t’u dhënë mundësi që të kontribuojnë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i bëri thirrje diasporës që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kur shumë prej jush jeni të zot, kur shumë prej jush hapni vende të punës, kur shumë prej jush e ktheni mundin e juaj, djersën e juaj, paren e juaj në këtë vend, unë e di kush ka me qenë populli im. Unë jam thellë i bindur që ju mund ta bëni këtë, unë jam thellë i bindur që secili në këtë sallë, e secili shqiptar në diasporë sipërmarrës ka mundësi një pjesë të veprimtarisë së vet, të hyrave të veta, vlerës së vet të shtuar, me e kthy në Kosovë, jo veç remitenca, jo vetëm për dasma, jo vetëm për shtëpi, jo vetëm me na përkrah neve këtu kur jemi ngushtë, por edhe në projekte ekonomike, ashtu siç disa prej juve keni bërë. Bravo ju koftë, por mos u ndalni! Nëse kanë mundur me u kthy izraelitë, nëse kanë mundur plot të tjerë me u bo të zot pa qenë të mëdhenj si popull, unë jam thellë i bindur se nuk ka popull më të zot se ne, shqiptarët, se e di ku e kemi nxjerrë vetën veç para 20 vitesh”, tha ai.< /p>

Kryeministri Haradinaj tha se diaspora asnjëherë nuk duhet të heq dorë për Kosovës.

“Ne kemi nevojë me na kuptu popujt e qeveritë e vendeve me rëndësi, e Gjermanisë, Amerikës, e Anglisë, Italisë, Zvicrës, Francës, ju mund të bëni shumë që me na kuptu drejtë”, shtoi Haradinaj.

Ministri i Diasporës, Dardan Gashi tha se me nënshkrimin e marrëveshjes sotme, i japin në dispozicion bizneseve të diasporës Parkun e Bizneseve të Malishevës.

“Sot do të nënshkruajmë marrëveshje me Unionin e Bizneseve të Gjermanisë, si qeveri e Kosovës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ministri Shala, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që të arrihet deri të kjo marrëveshje, bashkë me zëvendëskryeministrin Limaj dhe kryeministrin Haradinaj, dhe me ministrinë e Investimeve Strategjike dhe Diasporës, për t’i dhënë në dispozicion bizneseve të diasporës Parkun e Bizneseve të Malishevës që do të jetë në dispozicion për bizneset e diasporës. Pra jo ajo që jeni ankuar më herët, që bizneset e diasporës janë keqtrajtuar kur kanë ardhur në Kosovë, që u janë stërshitur tokat me çmime marramendëse, që ka pasur problem gjatë privatizimit, por qeveria të ja jap në dispozicion”, tha ai.

Ndërsa Yll Blakaj, kryetar i Deëve organizator të konferencës së Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, tha se bizneset e diasporës kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që mos të ndalojnë me krijimin e klimës dhe kushteve të mira për investime.

“Bizneset e diasporës kërkojnë nga ju dhe institucionet tona mos ndaloni me krijimin e klimës dhe kushteve të mira për investime të diasporës në trojet e veta. Ky është mesazhi i qartë për të rinjtë tonë që çdo ditë e lëshojnë vendin. Me investimet e diasporës të cilat do të vijnë drejtpërdrejtë, si dhe me eksportin që parashohin prodhuesit e Kosovës ta bëjnë në vendet tona, do të ketë vende të mira ta punës, do të ketë mirëqenie të mirë për të gjithë, do të ketë konsum të mirë në Kosovë, sikur në Evropë”, tha ai.

E Skënder Xhekaliu, Konferencën ekonomike të diasporës shqiptare që po mbahet në Prishtinë, e konsideroi rezultat shumë të suksesshëm.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve sonte që pritet të nënshkruhen nga ministritë përkatëse dhe rrjeti i diasporës është një rezultat mjaft i suksesshëm, ku ministritë përkatëse kanë ndarë tanimë edhe lokacionin për një hapësirë të investimeve direkt nga diaspora dhe kjo sqaron përkushtimin që i kushtohet investimeve të huaja”, tha ai.

Ndërsa ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se Qeveria e Kosovës po e bën hapin e parë për afrimin me investitorët e diasporës. Sipas tij, tani është koha që diaspora të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ai tha se është hera e parë qe Qeveria e Kosovës ofron mundësi konkrete për përfaqësuesit e bizneseve të diasporës, për investime në Kosovë.

Exit mobile version