Site icon Prishtinapress

Qeveria miratoi katër projektligje, disa rregullore dhe vendime

Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhjen e 20-të (mbledhje elektronike), në të cilën ka miratuar projektligje, rregullore dhe vendime të fushave të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Me ndryshimet dhe plotësimet e miratuara, në Programin Legjislativ për vitin 2020 do të përfshihet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, lidhur me Financimin e Programit – Nxitja dhe Levimi i Mundësive për Sigurinë e Ujit.

Gjithashtu me këtë plotësim-ndryshim, Projektligji për Zhvillim Rajonal bartet nga Programi Legjislativ i vitit 2020 në Programin Legjislativ të vitit 2021.

Me vendime të veçanta, në mbledhjen e sotme, janë miratuar këto projektligje:

Projekt Kodi Civil i Republikës së Kosovës;
Projektligji për Pronën Publike;
Projektligji për Tokën Ndërtimore; dhe
Projektligji për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe Rregullorja për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, e cila ka për qëllim të përcaktojë procedurat dhe kriteret e dhënies në shfrytëzim dhe këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës për interes publik, si dhe bartjen në pronësi të komunës të pronave të paluajtshme, të cilat administrohen nga institucionet qendrore.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar edhe Vendimin për krijimin e Trupit drejtues ndërministror për zhvillimin e projekteve madhore rrugore të përbërë nga:

Ministri i Infrastrukturës, Kryesues;
Ministri i Financave, anëtar;
Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, anëtar;
Ministri i Pushtetit Lokal, anëtar.

Po ashtu, janë miratuar vendimet për t’i kërkuar Presidentit të Republikës së Kosovës autorizimin e Ministres së Financave për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve:

Marrëveshjes së Kredisë Emergjente për Infrastrukturë Vitale në mes Republikës së Kosovës, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në vlerë prej 30 milionë eurosh; dhe
Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID – 19”, në vlerë prej 35 milionë eurosh.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje do të mbështetet sektori publik shëndetësor, ku një pjesë e mjeteve do të financojë retroaktivisht masën 6 dhe 7 të Pakos Emergjente Fiskale, si dhe pajisjet e prokuruara nëpërmjet Planit të Gatishmërisë së Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa, pjesa e mbetur e mjeteve do t’u dedikohet pajisjeve të reja, për të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK kanë shprehur nevojë për trajtimin e virusit COVID – 19. Kushtet e kësaj kredie janë më të volitshme, sesa ato të tregut, ndërsa norma e interesit është subvencionuar deri në 1 milion euro nga Banka.

Ky projekt shënon marrëveshjen e parë me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për sektorin publik në Kosovë.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe nisma për negocimin e Amendamentimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Zvicrës për “Programin Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në Zonat Rurale faza (dalëse) VI”.

Përmes këtij amenandamentimi Qeveria e Zvicrës vë në dispozicion një shtesë të grantit prej 572 mijë frangash zvicerane, e cila rrit shumën totale deri në 7,672,000 milionë franga zvicerane, të cilat do të përdoren ekskluzivisht për zbatimin e programit, sipas qëllimeve dhe objektivave të përcaktuara. Marrëveshja aktuale mbulon periudhën nga 1 janari 2019 deri më 31 dhjetor 2022.

Exit mobile version