Site icon Prishtinapress

Qeveria kërkon pastërti, por nuk shpërblen punëtorët e kompanisë “Pastrimi”

Riza Selimi, punëtor në kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë, asnjëherë nuk ka ndërprerë punën, me gjithë rrezikun nga ndonjë infektim i mundshëm me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga coronavirusi.

Nga 13 marsi i këtij viti, kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente të Qeverisë tashmë në detyrë të Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, biznese të shumta, institucione publike dhe shërbyese ndërprenë punën, ose veprimtarinë e tyre po e zhvillojnë me kapacitete të zvogëluara.

Por, punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, gjatë kësaj periudhe iu është dyfishuar puna.

Selimi, i cili është menaxher i njësisë së bartjes së mbeturinave në Komunën e Prishtinës, thotë se që nga paraqitja e rasteve me coronavirus, ai ka qenë në vendin e punës.

Por, Selimi thotë se është i zhgënjyer me vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës, pasi në Pakon Emergjente Fiskale, punëtorët e pastrimit nuk do të ndihmohen financiarisht, ashtu siç ka ndodhur me punëtorët e sektorëve të tjerë, të cilët përfitojnë nga kjo pako e qeverisë.

“Shumë jemi të zhgënjyer sepse jemi diskriminuar. Nuk e di kush e ka planifikuar që të përjashtojë nga pakoja një nga sektorët kryesorë, do të thotë që vjen pas stafit mjekësor dhe policisë. Sepse pa pastërti të qytetit, nuk e di se si do të mbroheshim nga pandemia. Nëse për 24 orë nuk mblidhen mbeturinat në Prishtinë, krijohet kaos”, thotë Selimi.

“Pastrimi” mori mbeturinat nga spitali, karantina…

Në Pakon Emergjente Fiskale të qeverisë parashihet që shpërblim shtesë në vlerë nga 300 euro për dy muajt në vijim, të ndahen për stafin mjekësor, policinë dhe zjarrfikësit. Kurse me nga 100 euro për dy muaj, është vendosur që të shpërblehen punëtorët që gjatë kësaj faze kanë punuar në markete ushqimore, furra dhe farmaci, të cilët supozohet se kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezikut.

Por, kryeshefi ekzekutiv në këtë kompaninë “Pastrimi”, Burim Kelmendi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shprehet se edhe punëtorët e kësaj kompanie kanë qenë të rrezikuar nga infektimi me koronavirus, pasi kanë kryer shërbimet e nevojshme gjatë gjithë kohës.

“Punëtorët tanë në shërbim, edhe në Klinikën Infektive ku po trajtohen personat e infektuar më ccoronavirus, dy herë në ditë i zbrazin kontejnerët e mbeturinave. Madje, në të gjitha familjet në shtatë komunat ku operon kompania, është kryer shërbim i posaçëm derë më derë. Nga ndërtesat e Prishtinës e deri te Qendra e Studentëve që tashmë shfrytëzohet si karantinë, punëtorët kanë qenë në shërbim”, shprehet Kelmendi.

Kelmendi ndërkaq thotë se autoritetet kompetente as pajisje mbrojtëse nuk kanë sjell në kompaninë “Pastrimi”.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, është kompani publike e cila merret me grumbullimin, bartjen dhe menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë dhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës. Kjo kompani numëron mbi 700 punëtorë, ku paga mesatare e një punëtori fizik është deri në 350 euro në muaj.

Qeveria thotë se punëtorët e pastrimit nuk kanë qenë të rrezikuar

Në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë se Financave dhe Transfereve kanë thënë se ndaj këtyre kompanive është dashur të kryhet obligimi nga kontraktuesi dhe punëtorët të marrin pagat e tyre të plota.

Muharrem Shahini, zëdhënës në këtë ministri, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se punëtorët e pastrimit të rrugëve nuk mund të krahasohen për nga rrezikshmëria me punëtorët e pastrimit të spitaleve. Punëtorët e pastrimit të spitaleve dhe qendrave të mjekësisë familjare janë të ekspozuar më shumë ndaj rrezikut pasi që kanë kontakte direkt me pacientët e sëmurë, ka argumentuar Shahini.

“Gjithashtu duhet të kuptohet se kjo masë për shtesa për punëtorët që janë rrezikuar më shumë, nuk vlen për faktin se dikush ka punuar gjatë kësaj kohe sepse nuk janë të përfshirë të gjithë ata që kanë punuar, por ata që me vendim të qeverisë i janë ekspozuar rrezikut të shtuar”, ka thënë Shanini.

Pavarësisht që punëtorët e kësaj kompanie kanë punuar vazhdimisht gjatë muajve të pandemisë së coronavirusit, konsumatorët nuk i kanë paguar faturat që kapin vlerën e 1.2 milion eurove.

Exit mobile version