Mediat e Malit të Zi po e cilësojnë si një skandal faktin që ministrja e re e Shëndetësisë në Mal të Zi, Jelena Boronoviq Bojoviq, në një dokument me masat anti-COVID i është referuar Republikës së Kosovës me fusnotë, pavarësisht se Podgorica zyrtare e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Në njoftimet e mëhershme gjatë qeverisjes së Milo Gjukanoviqit në dokumentacionet zyrtare, në asnjë rast autoritetet malaziase nuk i janë referuar Kosovës me fusnotë.
Qeveria e re e Malit të Zi drejtohet nga Zdravko Krivokapiq, derisa zëvendëskryeministër është shqiptari Dritan Abazoviq, i cili ishte vendimtar në rrëzimin e Gjukanoviqit nga pushteti.
Abazoviq ishte zotuar se pozicioni i Podgoricës zyrtare karshi Kosovës nuk do të ndryshonte.