Qeveria e ardhshme me 12 ministri, grafika që tregon se si mund të bëhet shkrirja e 21 ministrive

0
40

Qeveria e ardhshme e Kosovës nuk do të ketë më shumë se 12 ministri. Për këtë janë pajtuar dy partitë të cilat pritet të formojnë Qeverinë e re, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që të dyja partitë kanë theksuar se formati qeverisës do të jetë me 12 ministri të cilët do të kenë nga dy zëvendësministra.

Nga 21 ministri sa janë aktualisht, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Diasporës dhe Investime Strategjike, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, pritet të mbesin 12.

E, gjithë kjo do të ndodhë me shkrirjen e disa ministrive në një ministri të vetëm. Sipas Instituti për Studime të Avancuara (GAP), një qeveri më pak ministri do të sjellë përfitime të mëdha, duke ia kursyer buxhetit të Kosovës 15.5 milionë euro për një mandatet qeverisës, transmeton Telegrafi.

Agron Demi nga Instituti GAP tregoi për Telegrafin një raport të bërë vite më parë, ku parashihet zvogëlimi i ministrive dhe si mund të bëhet funksionimi i tyre.

Agron Demi, Instituti GAP

Ai tha që raporti është publikuar gjatë vitet 2014, dhe se është marrë për bazë gjatë negociatave për zvogëlimin e numrit të ministrive.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU:

Ky raport parasheh fuqizimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, duke iu bashkuar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe Ministria e Financave.

Po ashtu në raport parashihet fuqizimi i Ministrisë për Administratë Publike duke iu bashkuar Ministria për Administrim e Pushtetit Lokal.

Gjithashtu, sipas Institutit GAP, Ministria e Diasporës duhet shpërndarë, departamentet e kësaj ministrie të bartën në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Kurse, Ministria për Kthim dhe Komunitete të shuhet, dhe përgjegjësitë e kësaj ministrie të kalojnë në Zyrën për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Kryeministrit dhe Zyrat për Komunitete dhe kthim në nivelin lokal.

Ky raport është realizuar kur Qeveria e Kosovës kishte 19 ministri, ndërsa në Qeverinë Haradinaj në vitin 2017 u shtuan edhe dy ministri: Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Për zvogëlimin e numrit të ministrive, për Telegrafin është deklaruar edhe Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare Çohu.

Ai përmendi disa nga ministritë që duhet bashkuar.

“Mundet Ministria e Pushtetit Lokal të bashkohet me Ministrinë për Administratë Publike, Ministria e Zhvillimit Ekonomik mund të bëhet bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë,  Ministria e Diasporës me Ministrinë e Punëve të Jashtme, në bazë të dikastereve mund të shkrihen dhe të bëhen bashkë në mënyrë që më ardhë deri tek zvogëlimi i ministrive”, tha ai.

Arton Demhasaj, organizata joqeveritare Çohu

Demhasaj tha se me zvogëlimin e numrit të ministrive shpenzimet do të jenë më të vogla dhe përgjegjësia do të jetë më e madhe.

Mirëpo, Demhasaj tha se për koalicionin qeverisës sfidë do të jenë shërbyesit civilë.

“Shkrirja do të jetë e lehtë mirëpo sfida më e madhe do të jetë tek shërbyesit civilë, bartja e tyre nëpër ministri”, deklaroi ai.

Telegrafi më poshtë ua sjellë një grafikë se si do të mund të bëhet zvogëlimi i ministrive nga 21 në 12:

Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik t’i bashkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit,  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Ministrisë për Administratë Publike t’i bashkohet Ministria për Administrim e Pushtet Lokal.

Ministrisë së Punëve të Jashtme t’i bashkohet Ministria e Diasporës dhe Ministria e Integrimeve Evropiane.

Ministria për Kthim dhe Komunitete të shuhet apo të shpërndahet.

Ndërsa këto janë ministritë që pritet të mbesin siç kanë qenë:

Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Financave.

Kurse sa i përket Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ende nuk ka pasur ndonjë deklaratë sa a do të vazhdojë e vetme apo do të bashkohet me ndonjë ministri siç është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është konsideruar si më e madhja ndonjëherë me 21 ministri, tre zëvendëskryeministra dhe 80 zëvendësministra. Të gjithë këta zyrtarë, kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politik.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë vlerësuar se këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit të shtetit të Kosovës, deri në tre milionë euro në vit, pasi paga mujore e një zëvendësministri është rreth 1200 euro.

Ndryshe, 80 zëvendësministrat e Qeverisë Haradinaj do të vazhdojnë të marrin 70% të pagës nga buxheti i shtetit edhe gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit.