6.3 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

spot_img

QASJA E BRUKSELIT NDAJ BALLKANIT: KARROTË E VOGËL, SHKOP I THYER

Opinion nga Shpend Ahmeti

Të patundur në qëndrimin pro-BE-së, kosovarët po humbasin durimin me Brukselin, të cilin ata e akuzojnë për dhënien e prioritetit Serbisë për qasje mbi sovranitetin e tyre, paralajmëron kryetari i kryeqytetit të Kosovës, Shpend Ahmeti.

“BE-ja rithekson mbështetjen e saj të qartë ndaj perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e Ballkanit është në Bashkimin Evropian”.

Kjo ishte një nga konkluzionet kryesore të samitit të Ballkanit Perëndimor në vitin 2003, që më pas është parë si një pikë kthese për rajonin.

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini deklaroi javën e kaluar se “dyert e BE-së janë të hapura për të gjithë rajonin”.

Në të njëjtën ditë në Bruksel, shefi i saj Jean-Claude Juncker paraqiti të ardhmen e Bashkimit Evropian në të cilën nuk e përmend fjalën “zgjerim”, le më të sigurojë një vizion në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Shtrohet pyetja nëse BE-ja ka ende diçka për të ofruar për Ballkanin Perëndimor përveç ndihmës financiare. Politika e Jashtme e BE-së në Ballkan mund të përshkruhet vetëm si një emërues i përbashkët i 28 vendeve anëtare. Kjo ka prodhuar deklarata të thata që tani janë duke prodhuar gjithmonë e më pak ndikim.

Kjo pjesë e Evropës është gjithnjë e më shumë duke u bërë një shesh lojërash për Rusinë dhe Turqinë, të cilat janë duke përfituar nga dobësia e BE-së dhe administratës së re amerikane që nuk ka qëllim për të zgjeruar ndikimin e tyre ekonomik dhe politik.

Kërcënimi i shpërbërjes dhe konfliktit nuk ka qenë kurrë kaq afër.

Serbia kurrë nuk është marrë me trashëgiminë e Millosheviqit dhe vazhdon të luajë kartën ruse, siç tregohet nga heshtja e Federica Mogherinit në rastin kur deputetët e partisë së Vojislav Sheshel thërrisnin “Serbia! Rusia! Ne nuk kemi nevojë  për Bashkimin Europian!” gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Serbisë.

Protagonistët kryesorë të vitin 1990 janë atje megjithëse në pozicione të ndryshme, dhe 85% e Parlamentit përbëhet nga partitë dhe politikanët që ishin në fuqi gjatë konflikteve në Ballkan.

Bosnja mbetet një shtet jofunksional, ku paqja është më e pasigurt se kurrë më parë.Udhëheqja e korruptuar e Republika Srpska po kërcënon një referendum mbi pavarësinë në vitin 2018.

Në Shqipëri, opozita ka bojkotuar Parlamentin duke dalë në rrugët e Tiranës, përpara zgjedhjeve të planifikuara për në  muajin qershor.

Maqedonia ka qenë në krizë për dy vjetët e fundit dhe tani është edhe më shumë pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin dhjetor. Është e qartë se ish-kryeministri autoritar, Nikola Gruevski, nuk është i gatshëm për të transferuar pushtetin në mënyrë paqësore.

Ekziston një rrezik i madh që kriza politike do të zhvillohet në një krizë ndëretnike. BE-ja ka qenë e paaftë për zgjidhjen e saj, nganjëherë edhe duke luajtur një lojë të dyfishtë.

Ndërsa komisioneri Johannes Hahn ishte i zënë në ndërmjetësimin e zgjedhjeve të lira dhe duke u përpjekur për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, ylli në rritje i Partisë Popullore të Austrisë, ministri i jashtëm Sebastian Kurz, haptazi mbështeti Gruevskin gjatë fushatës së tij.

E fundit por jo më pak e rëndësishme, 18 vjet pas intervenimit të NATO-s dhe miliarda eurove të  investuara të BE-së në fushën e ekonomisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, Kosova përballet me sfida të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, varfërisë dhe sundimit autoritar.

Me 1.7 milionë banorë, Kosova është bërë një eksportues i lartë i azilkërkuesve në Evropë gjatë viteve të fundit, duke u radhitur pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut.

“Karrota” e vetme e BE-së në Kosovë që nga viti 2012 ka qenë perspektiva e liberalizimit të vizave. Më keq, BE-ja i ka bërë presion Parlamentit të Kosovës të ratifikojë një marrëveshje për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi në këmbim  të liberalizimit të vizave, një kushtëzim që nuk është dëgjuar asnjëherë në historinë e zonës së Shengenit.

Mogherini gjatë fjalimit të saj të shtunën (11 mars) në Prishtinë, ka përsëritur këtë mesazh duke deklaruar se Kosova ka përmbushur kriteret e tjera të liberalizimit të vizave: forcimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Deklarata e saj u prit me zemërim dhe ironi nga vëzhguesit e pavarur dhe komentuesit në mediat sociale.

Korrupsioni në Kosovë ka qenë një problem i rëndësishëm gjatë viteve të fundit derisa asnjë figurë e rëndësishme nuk është dënuar. Indeksi i Korrupsionit të Transparency International për vitin 2016 e rendit Kosovë të 95-tën mes Beninit dhe Nigerisë.

Lidhur me marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit, ekspertët e pavarur vlerësojnë se Kosova do të humbasë 8,200 hektarë të territorit duke ia dhënë të njëjtat Malit të Zi.

Paralelisht, BE-ja ka pasur për qëllim lehtësimin e negociatave që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011. Ky proces është destinuar të dështojë që në fillim sepse nuk ka përfshirë asnjë parim udhëzues dhe nuk i ka kërkuar Beogradit të njohë Pavarësinë e Kosovës, duke shmangur pyetjet kyçe që lidhen me riparimet e luftës, personat e pagjetur dhe pasuritë e konfiskuara.

Negociatat nuk kanë sjellë ndonjë përfitim. Përkundrazi, ato kanë kontribuar vetëm për acarimin e armiqësive. Shembulli më i mirë është marrëveshje për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë që u konsiderua antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila do të çojë në “bosnjëzimin” e Kosovës.

Populli i Kosovës është mobilizuar me forcë kundër këtyre dy marrëveshjeve, me një peticion me 205,000 nënshkrime dhe protesta për mos ratifikimin e tyre.

Pushteti, në mes të presionit nga Brukseli për të kaluar marrëveshjet dhe perspektivat e Gjykatës së re Speciale me bazë në Hagë të krijuar për të akuzuar disa prej figurave kryesore të partisë në pushtet, është përgjigjur me dhunë.

Arrestime në shkallë të madhe dhe gjyqe politike ndaj deputetëve të opozitës dhe aktivistëve janë orkestruar që nga viti 2014, duke arritur kulmin me vdekjen e dyshimtë të aktivistit të ri në mbajtje, Astrit Dehari, nëntorin e kaluar.

Për herë të parë, BE-ja po bëhet një objekt i kritikave në mesin e kosovarëve, të cilët deri vonë kanë qenë njerëzit më pro-evropian në kontinent.

Gjithnjë e më shumë, BE-ja po perceptohet si e padrejtë duke pasur prioritet integrimin evropian të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës duke kompromentuar kështu vlerat e veta të demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Paaftësia e Brukselit për të trajtuar situatën e paqëndrueshme në rajon është interpretuar më së miri si një shenjë e paaftësie dhe më së keqi, si tolerancë dhe mbështetje e regjimeve autoritare për hir të stabilitetit politik dhe interesit vetjak.

Ky trend shqetësues po zhvillohet në sfondin e një rendi botëror që po ndryshon me shpejtësi, dhe mund të lërë gjurmë afatgjata në Ballkanin Perëndimor, ku fantazmat e luftës janë ende të pranishme.

Ballkani Perëndimor i përket Evropës dhe ne kemi nevojë për BE-në tani më shumë se kurrë më parë. Është koha që BE-ja të qëndrojë pro vlerave të saj dhe të kalojë nga fjalët në veprim, para se të jetë tepër vonë.

(Botuar në Euractiv – përkthyer nga Klan Kosova)

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles