Site icon Prishtinapress

Punëtorët e “Llamkos”-it marrin paratë për 13 pagat që ua kishte borxh AKP-ja

Paralajmërimi i punëtorët të “Llamkosit” për protestë dhe kërcënimi me grevë para AKP-së, për të hënën, ka dhënë rezultat. AKP-j ka njoftuar punëtorët e “Llamkos”-it se janë transferuar mjetet dhe se nga dita e martë do t’u shpërndahen punëtorëve.

Këtë e ka konfirmuar për Frontal Online kryetari i SP të Punëtorëve të “Llamkos”-it, Ragip Hasani.

“Më në fund po i marrim paratë për 13 pagat, pas shumë peripecive, pas vonesave dhe vuajtjeve që punëtorët kanë përjetuar për kaq shumë vjet. Të drejtën e kemi kërkuar gjithmonë, duke protestuar e duke i lutur të gjithë. Më në fund, këta që janë gjallë le ta shijojnë djersen e vet, e ata që kanë vdekur, do t’i marrin familjet e tyre. Shyqyr që u krye kjo punë”, është shprehur i entusiazmuar Hasani.

Ndryshe, Fabrika për përpunimin e llamarinës së zinkuar “Llamkos” e Vushtrrisë është shitur më 15 prill 2019 në ankand. Çmimi minimal i caktuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Ekonomike ishte 4.8 milionë euro, ndërsa blerësi, kompania “Emona” SHPK, kishte ofertuar me 6 milionë euro, 1.2 milion euro më shumë se çmimi fillestar. Në këtë mënyrë pas procesit të falimentimit, “Llamkosi”, që ka në pronësi rreth 18 hektarë tokë, ndërtesa linjën e prodhimit, si dhe makineri e pajisje, ishte bërë për disa muaj pronë e kompanisë “Emona” SHPK, një kompani tregtare vushtrriase me nam në gjithë Kosovën. Kanë qenë edhe 20 kreditorë të “Llamkosit”, të cilët kanë kërkuar hise, në mesin e të cilëve edhe rreth 487 punëtorë të “Llamkosit”, që nuk kanë marrë pagat e tyre për më shumë se 13 muaj dhe ato arrijnë shumën prej 1.7 milionë euro.

Exit mobile version