Site icon Prishtinapress

Publikohen letrat për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Vëllau i Donjeta Pajazitajt, Shkëlqimi ka publikuar disa letra anonime që janë dërguar në adresë të tyre, prokurorisë dhe policisë, lidhur me vrasjen e familjares së tyre. Në këto letra shkruhet për arsyen e vrasjes së Donjetës, urdhërdhënësin dhe kryesin e vrasjes.

Në një prej këtyre letrave të publikuara, thuhet se një person i quajtur Isni, e ka lënë shtatzënë Donjetën dhe pastaj ia ka dhënë 5 mijë euro Naser Pajazitajt, që ta vrasë.

“Halil, Isnia masi e ka lanë shtatzanë Donjetën, mos me marrë vesh gruaja e vet, ja ka dhanë Naserit 5000 euro dhe ai e ka vra”, thuhej në letër.

Letra anonime me shkrime të ngjashme ishin dërguar edhe te prokurorja Valbona Haxhosaj, zyrtari policor, Alberim Muja dhe emisioni “Betimi për Drejtësi.

 

“Alberim rasti i Donjeta Pajazitaj asht Hysni Pajazitaj ka kalu me Donjeten e ka lanë shtatzan kur e ka mar vesh që o shtatzëne mos me mar vesh gruja ti e ka pagu Naserin 5000E e Naseri e ka vra”, thuhet në letrën tjetër.

 

E sipas dokumentit të publikuar nga vëllau i Donjetës, ai që i ka dërguar letrat është Haki Pajazitaj, kryeplaku i fshatit Strellc.

Në intervistën e parë në polici, Haki Pajazitaj, e ka mohuar të ketë dërguar këto letra. Por, pas sigurimit të pamjeve nga kamerat e pikës postare në Deçan, nga ku janë shpërndarë letrat “anonime”, ai ka deklaruar se ai i ka dërguar vetë këto letra.

Letrat tashmë janë bërë pjesë e procesit për rastin e Donjeta Pajazitajt, i cili po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Prokuroria ka bërë ekzaminimin e dorëshkrimit të tyre dhe njëkohësisht ka obliguar Haki Pajazitajn që të shkruaj në disa forma, në pozitën ulur në tavolinë, në pozitën në këmbë me letra në tavolinë, në këmbë me letër të vendosur në mur, të klasifikuara si Dëshmia 1, 2, 3 dhe 4 të cilat më pas janë krahasuar me dëshmitë #Z1 dhe #Z2 (zarfet e dërguara me postë).

Ekspertiza ka konstatuar se “nga ekzaminimi i shkrimit në fletën e vendosur në zarf nga dëshmia #Z1 dhe mostrat eksperimentale të shkrimit nga dëshmitë #DSH1 #DSH2 #DSH3 dhe #DSH4, janë identifikuar karakteristika të përgjithshme dhe individuale që përputhen në mes vete”.

Karakteristikat që përputhen janë: teknika dhe shtrirja e shkrimit, raportet e shkronjave në mes vete, shkrimi i disa shkronjave si dhe raporti i shkronjave në mes vete.

 

Ndryshe, kryeplaku i fshatit Strellc, Haki Pajazitaj, është arrestuar dje nga Policia e Kosovës.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se ai është arrestuar pasi gjatë deklarimit të tij në gjykatë si dëshmitar lidhur me vrasjen e Donjeta Pajazitaj, ka rënë në kundërshtim me deklaratën paraprake.

“Deçan, 01.03.2021 – 16:15. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi i njëjti gjatë deklarimit të tij në gjykatë si dëshmitar lidhur me një rast vrasje ka rënë në kundërshtim me deklaratën paraprake. Me urdhër të prokurorit i dyshuari mbahet në ndalim policor”, ka njoftuar Policia.

Kryeplaku i fshatit Strellc të Deçanit, Haki Pajazitaj, është liruar nga ndalimi, por është dënuar me gjobë në vlerë 200 euro dhe gjashtë muaj burgim me kusht, për deklarim të rrejshëm në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt.

Lajmin për Express e ka konfirmuar avokatja e tij, Aurora Mulhaxha.

Sipas saj, Pajazitaj ka deklaruar se e ka ndryshuar deklaratën shkaku i presionit.

“Po, deklaratën ka deklaru që e ka ndërru për shkak të presionit që s’ka desht me deklaru se prej kujt. Është përgjigj për deklarim të rrejshëm dhe është dënuar me 200 euro gjobë dhe dënim me kusht 6 muaj”, ka thënë Mulhaxha.

Exit mobile version