9.8 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Publikimi i kontratave, zbulon marrëveshjet korruptive me paranë publike

Ditë më parë dhjetë komuna të vendit morën vendim t’i publikojnë kontratat e prokurimit në uebfaqe, praktikë e cila është kërkuar tash e sa kohë nga OJQ-të, mediet e qytatarë të shumtë.

Tani, secili qytetar mund të shkarkojë një kontratë online në ueb-faqet e këtyre komunave: Gjakovë, Pejë, Vushtrri, Gjilan, Prishtinë, Ferizaj, Skenderaj, Istog, Hani i Elezit, Klina.

Isuf Zejna nga “Democracy Plus”, thotë se efektet e publikimit të kontratave do të jenë të drejtëpërdrejta si në zvogëlimin e hapësirës për korrupsion, rritjen e përgjegjësisë së zyrtarëve dhe monitorimin efektiv të prokurimit.

“Korrupsioni gjen vend aty ku nuk ka transparencë, nuk ka kontroll, ku njerëzit që kanë nevojë dhe duan të përfitojnë nga korrupsioni e gjejnë mundësinë. Deri më tani prokurimi për shkak të kontrollit të dobët, ka qenë hapësirë e gjelbër dhe shumë pjellore për korrupsionin dhe keq menaxhim të fondeve. Kontrolli i publikut është bllokuar në çdo rast duke mos ofruar qasje në dokumente zyrtare. Dhe në momentin kur mbikëqyrësit nuk kanë dokumente, krejt çka u mbetet të bëjnë është të spekulojnë. Tani më në Gjakovë, Pejë dhe Gjilan askush nuk varet nga vullneti i zyrtarëve për ofrim të qasjes në dokumente dhe kufizimet e formave të ndryshme. Deri tani, në shumë raste janë aplikuar pagesa apo taksa për fotokopjimin e dokumenteve, janë aplikuar afate të zgjatura për ofrim të qasjes, është ofruar qasje e kufizuar duke ofruar vetëm shikimin e dokumenteve dhe jo edhe marrjen e kopjes.”, ka thënë Zejna në një prononcim për Indeksoline.

Sipas tij, situtata ndryshon shumë me publikimin online të kontratave, pasi që japin mundësinë të gjykojmë nësë komuna ka prokuruar drejt ose jo.

“Shembull, komuna e Pejës dhe ajo e Gjilanit nuk kërkojnë garancione në blerjen e produkteve, apo se Gjakova paguan më shtrenjtë që veturat e komunës të dërgohen në Prizren për tu riparuar. Të gjitha këto ngrisin pyetje për zyrtarët publik, se pse kanë ndodhur dhe si duhet të shmangen në të ardhmen kontratat e tilla. Nëse kemi të bëjmë me raste të korrupsionit, vetë komuniteti do të mund të denoncojë zyrtarët për keqpërdorime. Qasja në kontrata publike, na ofron mundësinë të shohim se kush ka fituar kontratë, me çfarë kushte, për çfarë afati, në çfarë vlere, çfarë cilësie, si dhe cilat janë obligimet e kontraktorit. Këto pastaj na japin mundësinë të gjykojmë vet nëse komuna ka prokuruar mirë apo jo, e për më tepër na japin mundësinë të shohim nëse kontratat e mira në letër po zbatohen në praktikë. “, ka theksuar ai.

Zejna konsideron se ky publikim do t’i shërbejë monitoruesve të prokurimit që aktualisht janë kryesisht OJQ-të dhe mediat por në të ardhmen mund të jetë edhe vetë komuniteti.

Nga ana tjetër, edhe Diana Metushi- Krasniqi nga KDI konsideron se kontratat publike janë një nga rreziqet më të mëdha në botë për korrupsion, mashtrim e keqpërdorime, derisa ka pëgëzuar pesë komunat e para për të hapur kontratat.

“Hapja e kontratave është një nga elementet kyçe në luftën kundër korrupsionit, andaj ne kërkojmë hapjen e kontratave nga të gjitha institucionet në Kosovë. Publikimi i kontratave i mundëson gazetarëve dhe shoqërisë civile të zbulojnë marrëveshjet korruptive dhe të identifikojnë rastet e keqmenaxhimit me paranë publike. Njëkohësisht, i mundëson qytetarit të marr një rol aktiv në qeverisjen e mirë, duke i dhënë një mundësi të monitoroj investimet që bëhen në lagjen, qytetin dhe institucionin e vet, dhe duke ngritur zërin për parregullsitë, sidomos kur kemi parasysh se qytetari është ai që paguan dhe që shfrytëzon këto investime.”, ka thënë Metushi në një bisedë për Indeksonline.

Metushi- Krasniqi,  tregon nëse është i mjaftueshëm vetëm publikimi i kontratave në këtë rast.

“Për të pasur një proces transparent të prokurimit publik, ne kërkojmë nga institucionet që të hapin edhe dokumentet në vijim, të cilat kompletojnë hapjen e kontratave, 1) Planifikimi i Prokurimit (nga të gjithë Autoritetet Kontraktuese), 2) Hulumtimi i Tregut (të paktën në prokurimet qendrore, kontratat me vlerë të mesme dhe të lartë, dhe investimet kapitale), 3) Zotimin e Fondeve; 4) Raportin e Komisionit Vlerësues të ofertave, 5) Ankesat dhe Vendimet e nivelit të parë, 6) Raportet e Menaxhimit të Kontratave, 7) Faturat, dhe 8) Raportet e Pranimit të punëve. Duke pasur parasysh investimet e vazhdueshme në ngritjen e performancës së platformave digjitale në Kosovë, dhe rritjen graduale të vullnetit qeverisës për transparencë dhe llogaridhënie, besojmë se këto dokumente do të bëhen publike në një të ardhme të afërt, dhe format të definuar nga Partneritteti për Kontrata të Hapura, dhe Partneriteti për Qeveri të Hapura, ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim në vitin 2014.”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë se publikimin e kontratave e para e nisi komuna e Gjakovës. Ndërkohë që me kontrata të mbyllura vazhdojnë të punojnë edhe shumë komuna të tjera.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles