Site icon Prishtinapress

Pse serbët kthehen në atdhe?

Daut Dauti

Në vitet e ‘50-ta të shekullit të kaluar, gazeta e famshme britanike ‘The Times’ e kishte dërguar në Beograd Desa Trevisanin, për korrespondente nga Jugosllavia, dhe për një pjese të madhe të Evropës Lindore. Deri në këtë kohë, Desa Trevisan njihej si një vajzë e bukur, energjike dhe me prirje të jashtëzakonshme në gazetari. Ajo vinte nga një familje aristokrate (e përzier – baba serb kurse nëna kroate), që më parë kishte lidhje të ngushta edhe me familjen mbretërore jugosllave e cila në fakt ishte monarki serbe. Desa qe martuar me një baron italian, nga ku e kishte marrë mbiemrin, dhe jetonte në Londër.

Pa kaluar shumë kohë, Desa do të bëhej një nga gazetaret më të famshme dhe më të rëndësishme që kishte Perëndimi – në Lindje. Lidhjet që i kishte krijuar – që nga njerëzit e zakonshëm e deri te qeveritarët e lartë – do t’i ndihmonin shumë. Tekefundit, Desa ishte korrespondente e gazetës më të famshme në botë, që botohej në një shtet që ende ishte perandori. Kjo ishte arsyeja që Desa shihej në darka e dreka zyrtare që organizonte Tito – nga Beogradi e deri në Brione. Që të dy, Desa dhe Tito, kishin nevojë për njëri-tjetrin.

 Në fillim të viteve të ‘90-ta, sa ishte korrespondente – me disa ndërprerje – Desa qe shndërruar në legjendë. Prandaj, fjala e saj në Lindje dhe Perëndim ka qenë ligj.

Në vitin 1981, Desa do të raportonte nga Prishtina për demonstratat e atij viti me një kritikë për Qeverinë e Beogradit për përdorim të tepruar të dhunës. Kjo ishte koha kur emrat si Mahmut Bakalli, Azem Vllasi e disa tjerëve, së bashku me problemet nacionale të shqiptarëve, do të depërtonin si pjesë e lajmit në ‘The Times’.

Kuptimin e fuqisë dhe popullaritetit të një gazetareje, siç ishte Desa Trevisan, duhet kërkuar brenda konstelacionit të Luftës së Ftoftë apo ndarjes Lindje-Perëndim. Brenda këtij nocioni, Desa e donte Britaninë e Madhe që ishte bërë vendi i saj, kishte respekt të madh për udhëheqjen komuniste të Jugosllavisë, kurse Lindjen e shikonte dhe e trajtonte me dyshim.

Por, bota e Desës filloi të luhatej së bashku me Jugosllavinë. Ajo ishte kundër çfarëdo nacionalizmi në Jugosllavi, sidomos kundër atij serb. Ardhja e (Sllobodan) Millovesheviqit dhe (Vuk) Drashkoviqit ishte paralajmërim për fundin e karrierës së famshme të Desës. Madje, Millosheviqi edhe e burgosi Desën duke e mbajtur disa ditë në ‘Centralni Zatvor’ në Beograd.

Në vitin 1993, regjimi i Millosheviqit nuk ia vazhdoi akreditimin dhe ‘The Times’ u detyrua ta tërhiqte Desën përfundimisht nga Beogradi. Desa erdhi në Londër dhe u pensionua. Në vend të saj, ‘The Times’ në Beograd e dërgoi mikun tim, Tim Judan, i cili do të popullarizohej sikurse Desa, por në kushte dhe situata tjera.

Megjithatë, Desa nuk pushoi së kritikuari regjimin e Millosheviqit, edhe pse doli në pension. Ajo merrte pjesë në të gjitha forumet apo manifestimet e ndryshme që organizoheshin në Londër kundër Millosheviqit dhe klasës së re politike nacionaliste serbe. Në këto organizime unë u njoha me Desën.

Një ditë kur Desa po e kalonte pa kujdes rrugën në Londër, u përplas përtokë nga një prej autobusëve urbanë të kuq (që janë dykatësh). Kjo fatkeqësi, nga e cila Desa shpëto lehtë, u bë lajm. Në këtë rast, në Beograd, Drashkoviqi kishte pyetur: ’A është dëmtuar autobusi?’ D.m.th. kaq ishte urrejtja e Beogradit zyrtar për Desën.

Një ditë e pyeta Desën nëse dëshironte ta intervistoja. Ajo pranoi me kënaqësi dhe e caktuam ditën dhe orën. Kur shkova në banesën e saj tejet luksoze, e cila gjendej afër Royal Academy of Arts, e hapi derën dhe më shikoi gjatë. Edhe pse ishte gati mesditë, trokitja ime ia kishte nxjerr gjumin. Kishte mysafirë një natë më parë ku shihej se ishte konsumuar edhe alkooli. Ishte aq e lodhur saqë nuk ishte në gjendje të intervistohej. Ma dha një shishe verë dhe një uiski nga më të shtrenjtët. Këtë e bëri si kërkimfalje apo ‘dëmshpërblim’.

Desa ka qenë zonjë e vërtetë dhe kur ngushtohej, dilte lehtë nga situata. E caktuam një ditë tjetër për intervistë e cila gjë edhe ndodhi. U botua në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”.

Por, bota e Desës po ndryshohej vazhdimisht. Kosova ishte shkaku që Desës ia përmbysi përfundimisht idetë dhe të kaluarën e saj të famshme. Kur u bë e qartë se Serbia do të bombardohej, ajo u egërsua shumë kundër politikës britanike dhe doli në përkrahje të Serbisë. Një ditë – sapo kishin filluar bombardimet – e takova. Ishte tjetër njeri. ‘Do të shkjj në Beograd’ – më tha. Kur e pyeta pse, u përgjigj se do të shkonte që t’i ndihmonte asaj Jugosllavie që kishte mbetur e që quhej e cunguar. ‘Nuk ke si t’i ndihmosh. Nuk besoj se ke mundësi t’i ndalësh bombardimet’ – i thashë. ‘E kam fjalën për ndihmë morale’ – ma ktheu me një nervozë që nuk mundohej ta fshihte.

Dhe, kështu Desa shkoi në ‘Jugosllavi’ ku qëndroi deri vonë pas luftës. Nga atje u mundua që të ndikonte në favor të Serbisë dhe Malit të Zi. Por, askush më nuk ishte i interesuar për botim të shkrimeve të saja. Askush nuk e intervistonte. Askush më nuk dëshironte ta dinte se çka ka për të thënë legjendarja Desa Trevisan. Bota e Desës kishte përfunduar.

Ishte edhe një gazetar serb i cili kur filluan bombardimet u kthye nga Londra në Beograd. Unë dhe ai debatonim në televizionet britanike duke i mbrojtur qëndrimet tona. Njëherë, në lajmet e drejtpërdrejta të ITV u ngatërruam aq keq sa që moderatori i njohur i këtij kanali, John Suchet, e ndërpreu debatin duke na thënë: ‘Dilni dhe vazhdojeni grindjen jashtë studios’. Ky gazetari me siguri ishte frymëzuar nga Desa Trevisan për t’u kthyer në atdheun e tij.

Një personalitet tjetër që ishte kthyer për të jetuar në Beograd gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte edhe piktori i njohur serb, Paja Jovanoviq. Piktura e tij me temë nga shqiptarët në Egjipt (‘Dy bashibuzukët para portës’), para pak ditësh u shit në Londër me një çmim rreth gjysmë milioni euro. Në vitin 1939 Paja u kthye në Beograd për të njëjtën arsye që kishte edhe Desa Trevisan. Paja, sikur edhe Desa, vinte nga një martesë e përzier (baba serb, kurse nëna franceze),. por ai deklarohej serb.

Ka patur edhe raste tjera që serbët gjatë bombardimeve janë kthyer në vendin e tyre nga bota ku jetonin rehat.

Pse kthehen serbët në atdhe gjatë luftës?

Kthehen për të ‘bashkëvuajtur me popullin’, është përgjigjja e Desës dhe e këtyre tjerëve. Kjo mund të tingëllojë si qesharake, por serbët janë mjeshtër të shndërrimit të ‘vuajtjeve’ në sukses. Këtë na e mëson historia. Shiheni rastin e luftës së Kosovës. Tashti serbët janë duke i realizuar rezultatet e ‘vuajtjeve’ të tyre. Puna është duke shkuar në atë drejtim sa që ne një ditë të kërkojmë falje për ‘vuajtjet’ e tyre.

Exit mobile version