Site icon Prishtinapress

PSD: Nuk janë ende votat për rrëzimin e qeverisë

Ideja për inicimin e një mocioni për rrëzimin e Qeverisë aktuale, ka bërë që sot në mëngjes, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa të takohet me të parin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Dyshja në takim, temë kryesore patën bashkërenditjen e veprimeve për një mocion, përmes së cilit do të rrëzonin Qeverinë Haradinaj dhe koalicionin PAN.

Mustafa ditë më parë madje tha se pos me Kurtin, një takim do ta zhvilloj edhe me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.

Për mocionin në fjalë, në PSD thonë se një mocion të tillë e kanë nisur para pothuajse gjysmë viti.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina ka thënë për Indeksonline se ka më shumë se gjashtë muaj që kur ata (deputetët e PSD-së) i kanë vënë nënshkrimet për mocionin për rrëzimin e kësaj qeverie.

Mirëpo, ajo thotë se deri tani kanë qenë në pritje që partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës ta iniciojë atë.

“Ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por të njëjtën kohë janë munduar që fajin ta gjejnë diku tjetër për fat të keq, e jo aty ku është me të vërtetë. Tani për rrëzimin e kësaj qeverie duhet ndërtuar një strategji sepse partitë opozitare shqiptare nuk kanë votat e mjaftueshme për ta rrëzuar atë. Pra, duhet bindur edhe ndonjërën nga partitë që janë në pushtet aktualisht”, ka theksuar Pantina.

Sipas saj, pos deputetëve për një gjë duhet bindur edhe qytetarët e Republikës së Kosovës sa i përket Qeverisë.

“Për më tepër, ne duhet bindur vetën dhe qytetarët se një qeveri e ardhshme nuk do të jetë e ngjashme me këto që i kemi pasur deri më tani, sepse nuk është në interes të vendit që të ndërrohen kryeministrat dhe ministrat, por të ndërrohet mënyra e qeverisjes së këtij vendi. Për këtë, partitë aktualisht në opozitë do të mblidhen dhe të ndërtojnë një strategji mbi çështjet që duhet të shtyhen përpara dhe si duhet të zgjidhen ato”, ka përfunduar Pantina.

Ndërkohë, LDK në njoftimin e lëshuar pas takimit ka bërë të ditur se Mustafa e Kurti u pajtuan që korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme.

“LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Kurti në një postim në profilin e tij në Facebook shkroi se së shpejti do të nisin me përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri, Ramush Haradinaj.

“Sot takova kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa. Biseduam për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë”, ka shkruar Kurti.

Exit mobile version