Site icon Prishtinapress

Protestojnë mbi 150 qytetarë para minierës së Trepçës, kërkohet të respektohet konkursi për punë i 2019-së

Në testin me shkrim të mbajtur, Muhamet Hyseni kishte grumbulluar 98 pikë, duke siguruar kështu intervistën dhe mundësinë për një vend pune në minierën e Stantërgut në Trepçë.

Mirëpo, edhe pse ishte renditur i gjashti në listë, Hyseni thotë se vendi i punës nuk iu dha.

“I kam pasur 98 pikë dhe nuk jam pranuar në këtë testin e dytë të 2020-së që është mbajtur. Po e shprehi pakënaqësinë time”, thotë Hyseni, përcjell Telegrafi.

Përpos tij, fatin e njëjtë thonë që e kanë edhe 153 aplikues të tjerë, të cilët që shtatë ditë po protestojnë para minierës të Trepçës, me kërkesën e vetme për pranimin në punë.

“Kalueshmëria e testit ka qenë 51 pikë. Ka njerëz që kanë 40 pikë e që është në ranglistën e të parëve të pranuarve, për shkak të afërsive që i kanë, ka njerëz që dyshojmë që nuk kanë hyrë hiç në test. Kërkesa jonë është pranimi në punë dhe asgjë më shumë. Jemi të vendosur, kthim mbrapa nuk ka”, thotë Arsim Musa nga Këshilli Organizativ i protestës, për RTV Dukagjini.

Të drejtë protestueseve po u jep edhe i sapo zgjedhuri i ushtruesit të detyrës të kryeshefit të Trepçës, Rafet Ibishi.

Ai thotë se deri sa të krijohet Bordi udhëheqës, nuk mund të ndërmerret asgjë.

“Me vet faktin që Inspektorati i Punës e ka vlerësuar si të parregullt konkursin e zhvilluar gjatë vitit 2019, nënkupton që protesta e tyre para minierës është e drejtë. Mirëpo, unë sapo kam marrë detyrën e ushtruesit të kryeshefit në Trepçë, dhe pasi jam vetëm ushtrues detyre unë nuk kam kompetenca për anulim të konkursit apo edhe marrje në punë të punëtorëve të rinj pa konkurs. Për momentin Trepça nuk ka as Bord udhëheqës, dhe deri në momentin që krijohet Bordi, nuk mund të ndërmarrim asgjë për protestuesit”, thotë Ibishi.

Qytetarët thonë se deri sa ata nuk pranohen në punë, protestat nuk do të ndalen. Protesta lidhur me këtë çështje kishte pasur edhe gjatë muajit shkurt të vitit të kaluar, të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë.

Exit mobile version