Pronarët e kiosqeve sërish në protestë, kërkojnë anulimin e konkursit

0
10

Pronarët e kiosqeve po protestojnë para Komunës së Prishtinës, duke kërkuar që në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit, të anulohet konkursi për kiosqet.

Me motot “Krejt s’mund të bëhemi milionera”, “Diskriminimi i bizneseve të vogla nga Komuna e Prishtinës”, pronarët e kiosqeve po protestojnë para Komunës së Prishtinës.

Përfaqësuesi i bizneseve të vogla, Sabedin Hasani, tha se ligji për kiosqet është diskriminues dhe me një fjalë këtu fillon lufta në mes klasës së varfër dhe të pasur.

“Ne sot kemi dalë me protestu për të drejtën tonë. Komuna e Prishtinës ka shpall konkurs i cili është diskriminues, dhe me një fjalë këtu nisë lufta në mes të varfëve dhe milionerëve”, tha ai.

Agim Gashi, përfaqësues i LDK-së, tha që ky vendim pritet të anulohet pasi grupet parlamentare kanë rënë dakord për anulimin e këtij vendimi.

“Grupet Parlamentare kanë shprehur interesimin për anulimin e atij vendimi si kusht që këta të disiplinohen në mbrojte të interesave të qytetarëve. Ne do të bëjmë përpjekje në anulimin e këtij vendimi sepse kemi rolin e këshilltarit dhe kemi obligim t’i mbrojmë këto interesa”, tha Gashi.

Seanca e jashtëzakonshme tashmë ka filluar me shqyrtim vetëm një pikë të ditës, rishqyrtimi i vendimit për vendosjen e kiosqeve në komunë.