Site icon Prishtinapress

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Burdushit për shpërlarje të parave dhe veprimtari të kundërligjshme mjekësore

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të Hysri Peqani i njohur si Burdushi, për shkak të veprave penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Prokuroria njofton se i pandehuri Hysri Peqani prej kohës së pavërtetuar, së paku nga data e regjistrimit të biznesit privat me aktivitetin primar “aktivitet e tjera të shëndetit të njeriut”, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme, e me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare, të dëmtarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë, iu ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë i pandehuri Hysri Peqani në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20€ deri në 3000€, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth një milion euro (1.000.000).

“Me këto veprime i pandehuri Hysri Peqani ka kryer veprën penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” lidhur me veprën penale “Mashtrimi në vazhdimësi”.
Po ashtu, i pandehuri Hysri Peqani në shtëpinë e tij pa autorizim përkatës ka mbajtur në pronësi dhe posedim armë, pistoletë të tipit “Girsan”, të kalibrit 9 mm, me dy karikatorë, 166 fishekë, si dhe një pushkë gjuetie të tipit “Super Campion”, dhe 55 fishekë, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për armët Nr. 03/L-143, të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e kontrollit nga ana e policisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime i pandehuri Hysri Peqani-Burdushi ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Gjithashtu, i pandehuri, Hysri Peqani duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktivitetet kriminale, është e fituar me kryerjen e veprave penale, me qëllim të fshehjes së këtyre aktiviteteve dhe burimit të vërtetë të pasurisë, duke filluar nga viti 2006 parat e tilla i ka futur në sistem bankarë përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme. Në këtë rast janë të sekuestruar sene të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme. Me këto veprime i pandehuri Hysri Peqanika kryer veprën penale “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të KPRK lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nënparagrafi 2.1. të Ligjit nr. 03/L-96 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit”, thuhet më tej në njoftim.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar “Mashtrimi”.

Exit mobile version