12.8 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Prokuroria liron dy të akuzuar në rastin “ Syri i Popullit”, kërkon që të tjerët të shpallen fajtorë

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot është mbajtur seanca përfundimtare lidhur me rastin “Syri i Popullit”. Në këtë seancë u bë e ditur se Prokuroria Speciale e Kosovës në mungesë të provave ka hequr dorë nga ndjekja penale për dy të akuzuarit në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, Lirije Luzha dhe Sabit Berisha.

Kurse, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana, akuzohen për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Prokurori i rastit, Sylë Hoxha në fjalën e tij përfundimtare tha se shqyrtimet gjyqësore është vërtetuar se organizata “Syri i Popullit”, ka pasur një plan operativ për të vepruar në vrasjen e personaliteteve të larta shtetërore, për shkak se sipas tyre, kishin qenë tradhtar të luftës dhe votave të qytetarëve të Kosovës.

“Jemi të gjithë të bindur se organizata kriminale ‘Syri i Popullit’ ka pasur një plan operativ i ka caktuar njerëzit se si kanë me punua dhe veprua nuk është kontestua fakti se është marr vendim që të organizohet ky plan operativ me personalitet të sistemit të kaluar të sistemit aktual të komandantëve të luftës të cilët gjithnjë sipas plan program të kësaj organizate i kanë tradhtuar interesat e luftës dhe votave të popullit të Kosovës”, tha Hoxha, shkruan KP.

Sipas tij, ka elemente që çojnë në mendimin se të akuzuarit kanë shtyrë dhe manipuluar Murat Jasharin për shkak të gjendjen së tij psikike. E për këtë Hoxha kërkoi nga gjykata që të akuzuarit Jashari, t’i shqiptojë masë të detyrueshme të trajtimit në psikiatri.

Ndërsa, për të akuzuarit e tjerë, Hoxha kërkoi nga gjykata që për veprat për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen.

Pala e dëmtuar në këtë rast avokati mbrojtës i Azem Vllasit, e ka dorëzuar në formë të shkruar fjalën përfundimtare.

Gjatë kësaj seanca përfundimtare mbrojta e të akuzuarve të rastit “Syri i Popullit”, kërkoi lirim e të akuzuarve me arsyetim se mungojnë prova.

Avokati i të akuzuarit, Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi tha se ka frikë se ky proces gjyqësor do jetë i ndikuar politikisht pasi siç tha ai është ndihmuar nga krerët shtetëror.

Sipas tij, trupi gjykues nuk ka qenë i pavarur, por i ndikuar nga krerët e shtetit duke filluar nga momenti kur pranoi urdhrin e presidentit të shtetit, Hashim Thaçi që seanca të mbahet e mbyllur. Madje ai tha se pyetjet që i bëri Thaçi kanë qenë të ndaluara.

“Unë kam frikë që gjyqi do jetë i ndikuar sepse në këtë proces gjyqësor kanë ndihmuar krerë shtetëror dhe që kanë bërë me gisht drejt të akuzuarve se këta janë fajtor kanë kryer këtë vepër penale këta kanë dashur të na vrasin… Unë mendoj që trupi gjykues nuk ka qenë i pavarur ka qenë i ndikuar nga krerët e shtetit më i ndikuar nuk e di si do të dukej kur kryetari i shtetit urdhëron të largohet publiku dhe mediat nga gjykimi dhe gjykata pa hezitim e pranon këtë propozim të kreut të shtetit, prandaj kryetari i shtetit shtron pyetje aso çfarë nuk i ka shkruar prokurori, gjitha pyetjet që i ka shtruar Hashim Thaçi kanë qenë të ndaluara, prandaj këtu gjykata është dashur të intervenoj në këtë çështje”, tha ai.

Derisa për prokurorin e rastit “Syri i Popullit”, Sylë Hoxha vlerëson se i ka qëndruar besnik atyre që i kanë thënë ta ngris këtë aktakuzë.

“Prokurori ka qenë pjesë e dëshmitarit, prokuroi ka dëshmuar është besnik ndaj atyre që i kanë thënë ta bëjnë këtë aktakuzë, prokurori nuk e mbronte ligjin. Prokurori dëshmonte se ishte krah i dëshmitarëve që i kanë thënë për këtë aktakuzë”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij përfundimtare i akuzuari, Sadri Ramabaja ka deklaruar se një asnjë rrethanë nuk ka qenë pjesë e takimeve të organizatës “Syri i Popullit”.

Sipas tij, këtë organizatë e kanë krijuar Shërbimi Informativ i Kosovës, konkretisht presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Ramabaja derisa dëshminë e presidentit të vendit, Hashim Thaçi e ka konsideruar si shpifje tha se ky proces po tregon se “shteti është kundër Vetëvendosjes”.

Ai tha se më së shumti e ka goditur heshtja e Lëvizjes Vetëvendosje karshi rastit të organizatës “Syri i Popullit” dhe akuzave ndaj anëtarit të tyre.

“Organizatën fiktive “Syri i Popullit” me gjasë reale e ka krijuar SHIK-u pra dyshja Thaçi-Veseli dhe bashkëpunëtorët e tyre që në Kosovë më shumë ndihen si klani Pronto . Intenca këmbëngulëse për të ta lidhur “Syrin e Popullit” me Vetëvendosjen shpjegon çdo gjë. Akuzat ndaj meje të dyshes Thaçi-Veseli  dhe të zgjeruara tashmë në gjykatë me këto të dhëna me shkrim tek prokurori nga ana e Thaçit  jo vetëm për mua por edhe për Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcen duke sjell si provë deklaratën e tipit banal  e kam dëgjuar vetë kur Albin Kurti i ka thënë  Glaukut se këta duhet eliminuar e dëshmojnë katërcipërisht pohimin e kaherëshëm të Dilaver Goxhait se Syri i Popullit është krijuar nga Kadri Veseli dhe vartësitë e tij të SHIK-ut. Procesi i montuar tërësisht  e ndërkohë i koduar edhe emri shteti kundër  “Syrit të Popullit, që në fakt po rezulton të jetë shteti kundër Vetëven dosjes dhe kundër meje. Intenca që ta lidhin me Vetëvendosjen tregon shumë. Organizatës ‘Syrit i Popullit’ i mungonte koka dhe klani Pronto përmes Prokurorisë Speciale ishte vënë në kërkim të kokës. Unë me bindjen time mbetem socialdemokrat ashtu besoj se do të mbetet edhe Vetëvendosje. Ndërsa ky proces i cili u tha se është shteti kundër ‘Syrit të Popullit’ më shumë po del të jetë si shteti kundër Vetëvendosjes”, tha në fjalën e tij përmbyllëse Ramabaja.

Mbrojta e të akuzuarit, Avni Llumnica, Ahmet Ahmeti tha se kjo aktakuzë është bërë në bazë të supozuara e dhe se mungojnë provat që tregojnë që i mbrojturi i tij është i përfshirë në këtë organizatë.

Kurse, vetë i akuzuari Avni Llumnica duke mos dashur ta lexojë fjalën përfundimtare në mënyrë të shkruar vetëm ia ka dorëzuar trupit gjykues.

Në fjalën e tij përfundimtare avokati mbrojtës i të akuzuarit, Ragip Sallova, Arsim Bilalli derisa kërkoi lirimin e klientit të tij tha se gjatë gjithë këtyre shqyrtimeve e vetmja gjë që është vërtetuar është se organizata “Syri i Popullit”, ka qenë organizatë fantome e krijuar nga një njeri me sëmundje psikike, siç është Murat Jashari.

Ndërsa, i akuzuari Ragip Sallova tha se është i tmerruar çka ka dëgjuar nga prokurori sot, madje shtoi se ka pritur që sot do të tërhiqej aktakuza ndaj tij.

Seanca përfundimtare për procesin gjyqësor të njohur si “Syri i Popullit” do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte (nesër), duke filluar nga ora 13:30 në të cilën pritet ta japin fjalën e tyre përfundimtare të akuzuarit, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana.

Seanca e sotme përfundimtare e këtij rasti u mbajt pa praninë e mediave, pasi që kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi Jashanica kërkoi që mediat, konkretisht kamerat ta lirojnë sallën për shkak se nuk është marrë leje për incizim.

Në rastin “Syri i Popullit”, akuzohen Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të larta shtetërore dhe ish-funksionarëve të viteve 1980-1991, duke i cilësuar si tradhtarë të vendit.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles