Site icon Prishtinapress

Prokurori Rexha suspendohet tre muaj para pensionimit: Marre, ma futën kepën!

Prokurori Special, Ali Rexha është suspenduar nga puna si prokuror. Ky vendim është bërë i ditur sot pasi nuk është lejuar i njëjti të hyjë në këtë organ të drejtësisë.

Pezullimi i Rexhës nga puna ka ardhur pasi që kishte nisur hetimin e dy kolegëve të tij për konflikt interesi. Kohë më parë, ai kishte bërë edhe denoncime të tjera për kolegët.

Një rast të tillë e kishin bërë të ditur edhe udhëheqës të Prokurorisë që kinse ngacmojnë gra të huaja.

Lidhur me këtë, Komisioni Disiplinor dhe i Këshilit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka suspenduar nga puna prokurorin e Prokurorisë Speciale, Ali Rexha i cili javë më parë kishte nisur hetime parapenale ndaj zëvendësprokurores së shtetit, Sevdije Morina dhe kryeprokurorit të Gjilanit, Jetish Malokut.

I kontaktuari nga “Indeksonline”, Rexha i mllefosur ka pranuar se është suspenduar.

Ai ka kritikuar ashpër kolegët e tij duke thënë se ja ‘futën kepën ’ për këtë rast.

“Jam suspenduar se i kam hapur hetimet për konflikt interesi. Këta po thonë që ti nuk është dashur me u marrë me atë lëndë me arsyetimin se ke pas konflikt. Unë më herët i kam bërë publike dy letra që kam kallxu për këtë rast, do keqpërdorime për këtë edhe ma kanë fut kepën e qashtu shkon rregull këtu te na. Ankesa ime është turp, turp, marre, dhe krim. Unë tash do të drejtohem në Këshill Prokurorial ku edhe çdo ditë jam asajde. Por, unë si prokurorë nuk kthehem se edhe 3 muaj dal në pension”, është shprehur Rexha për “Indeksonline”.

Kësisoj, në letrën e dytë që kishte publikuar prokurori Rexha ka thënë se posedon fakte se shefat në sistemin prokurorial po keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare me gra të huaja. Sipas tij, të njëjtit ata po bënin sjellje donzhaneske. Rexha nuk ka dhënë emra por është shprehur i gatshëm të dëshmojë.

Exit mobile version