8.8 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Prishtina për njohje, Beogradi për kompromis

Kosova dhe Serbia i janë rikthyer dialogut në Bruksel, pas 20 muajsh që kur ky dialog ishte ndërprerë dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë theksuar që presin nga palët që t’i kontribuojnë “normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve ndërmjet dy vendeve”.

Por, të dyja palët, vazhdojnë të kenë qëndrime skajshmërisht të kundërta qoftë për natyrën e këtij dialogu, qoftë për një zgjidhje të mundshme përfundimtare, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar që dialogu me Serbinë është vetëm politik, “për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”.

Por, në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se Serbia është për dialog dhe kompromise që çojnë në zgjidhje, por nëse i bëhet thirrje që në dialog të shkojë “për të firmosur pavarësinë e Kosovës”, atëherë ai ka kërkuar që të mos i bëhet fare thirrje për pjesëmarrje në dialog.

Analisti politik, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se dialogu aktual nuk është në parametrat dhe as në rrethanat që është zhvilluar para disa vitesh.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia, ndonëse për arsye të ndryshme, ende nuk kanë vullnet të fuqishëm politik për të arritur një marrëveshje përfundimtare, ndërkohë që procesi i dialogut vazhdon vetëm për shkak të shtysës nga faktorët ndërkombëtarë.

Rashiti thotë se dialogu ka rinisur në kohën kur ekzistojnë më së shumti antagonizma, përçarje dhe jokoordinim ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ndërkohë që aktualisht Kosovën ky proces e ka gjetur në një pozicion më të vështirë se kurrë më parë.

Por, siç thotë ai, tashmë është një plan i ri për një proces të dialogut, i cili pritet të zgjasë 14 deri në 18 muaj, për të arritur një marrëveshje përfundimtare nga palët, ndërkohë që po nga këto palë dhe nga faktorët ndërkombëtarë do të varet edhe suksesi i këtij dialogu.

“Palët do të mbesin me qëndrime të tilla gjatë gjithë procesit, sepse nuk kemi kornizë të definuar dhe të pajtuar në mes palëve. Do të thotë, mbetet i hapur si proces i tillë. Në njëfarë forme lë hapësirë që në çdo rrethanë, njëra palë ose tjetra të largohen nga procesi apo ta interpretojnë ndryshe. Do të kemi interpretime të ndryshme derisa të shohim formulimin në letër dhe vendosjen e nënshkrimeve. Nuk e dimë se a do të ndodhë kjo, por palët do të vazhdojnë të jenë të tilla”, tha Rashiti.

Sipas tij, Kosova do të jetë gjithnjë në një pozicion më të vështirë, më ngurruese për të bërë kompromise dhe më kërkuese për sa i përket njohjes nga Serbia. Ndërkaq, sipas tij, Serbia është në pozicion të favorshëm dhe më të fuqishëm politik, si dhe ende mendon se mund të manipulojë me BE-në dhe faktorin ndërkombëtar në lojëra gjeopolitike, për ta detyruar BE-në ose ndërmjetësuesit në dialog që të mos kërkojnë njohjen e Kosovës nga ajo.

Por, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, por edhe Bashkimi Evropian, në këtë rast përfaqësuesi i posaçëm i tij për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, si dhe shefi i Politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i janë qasur tërësisht të papërgatitur vazhdimit të dialogut. Sipas tij, para se të shkohet në Bruksel, të gjitha palët është dashur që t’i qartësojnë arsyet që kanë çuar deri te ndërprerja e dialogut, si dhe arsyet se pse janë hequr ato pengesa për dialogun.

Ai thotë se dialogu ka rinisur në mënyrë të çuditshme dhe pa mirëbesim.

“Dialogu ende është në gjendje kome. Të themi me fjalor mjekësor, ai ende gjendet në kujdes intensiv dhe nuk ka dalë në rrugë. Nuk ekziston, përveç në deklaratat e Lajçakut dhe në takimet e shpikura. Por, tash kjo duket se ka shkuar në raundin tjetër. Jo vetëm që (kryeministri i Kosovës, Avdullah) Hoti dhe (presidenti i Serbisë, Aleksadar) Vuçiq kanë biseduar sikur ‘i shurdhëri me memecin’, por më pas u lajmërua edhe i ashtuquajturi koordinator i ekspertëve të Kosovës, ndërkaq që nga ne u lajmërua i gjithë ekipi nga dialogu teknik. Më nuk po dihet se a po zhvillohet dialog politik në nivel ekspertësh apo po zhvillohet dialog teknik, i cili mbase po i rishqyrton të gjitha çështjet politike. Cili është qëndrimi i Lajçakut? Ata kanë marrë pjesë në përgatitje me Lajçakun. Është dashur ta pastrojnë këtë situatë”, tha Janjiq.

Megjithatë, analisti Rashiti, vlerëson që Bashkimi Evropian, ndryshe nga fazat e mëhershme kur e kishte cilësuar dialogun si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve, tashmë ka theksuar se dialogu do të zhvillohet për një marrëveshje përfundimtare.

Kjo sipas tij është një peshë e madhe për dy përfaqësuesit e saj, Borrellin dhe sidomos për Lajçakun. Por, se a do të ketë sukses ky proces, nuk do të varet vetëm nga ta, por edhe nga ajo se a do të binden palët që të investojnë më shumë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“E nuk po e shohin që palët, përveç një shprehje gatishmërie dhe vullneti, në njëfarë forme, takimet po i zhvillojnë kryesisht për t’ua plotësuar dëshirën partnerëve, miqve ndërkombëtarë, për të qenë në një vijë me ta, sesa për të hyrë seriozisht në proces për çdo marrëveshje”, tha Rashiti.

Ai shtoi që për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi, do të nevojitet një koordinim më i mirë ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, e që sipas tij aktualisht nuk është.

Ai gjithashtu nuk beson që një koordinim i tillë do të jetë i arritshëm në fazën e tanishme.

Edhe Janjiq vlerëson që palët nuk i janë qasur dialogut seriozisht. Por, sipas tij, sikur ato të ishin racionale, ndërkaq që edhe vendet e Qunt-it të kishin një qëndrim të vetëm, një marrëveshje do të mund të arrihej në afat prej tre muajve. Sipas tij, ajo marrëveshje nuk do të nënkuptonte njohjen e ndërsjellë në mes Kosovës dhe Serbisë, por siç e quan ai, një “model gjerman”, që nënkupton pranimin nga Serbia që në dokumente të shkruhet Republika e Kosovës dhe të ketë qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave. Në të kundërtën, sipas tij, mund të ketë lojëra politike, braktisje të synimeve për marrëveshje, gjë që i mundëson provokimet, madje edhe ato të armatosura.

Tash për tash, siç thotë Janjiq, nuk duket se do të ketë ndonjë marrëveshje të mundshme.

“Unë këtë nuk e shoh. Unë këtë e kam thënë kur e kam parë ekipin rreth Lajçakut. Kur e kam parë mënyrën se si punohet, është e njëjtë sikurse e (ish-shefes së Politikës së jashtme të BE-së, Federica) Mogherinit. Nga kjo nuk ka ndonjë përfitim. Do të duhej që gjermanët të jenë pak më të mprehtë, për shkak se janë në presidencë (të BE-së). Në qoftë se gjermanët e forcojnë ekipin e Lajçakut dhe i ndërrojnë disa, të cilët ne i shohim në Kosovë tash e 20 vjet si EULEX, UNMIK dhe tash nuk e di se çfarë, atëherë ka gjasa. Ata duhet ta bëjnë këtë, ndërkaq Beogradi dhe Prishtina, kur të kuptojnë që ekziston presioni për racionalitet, do të jenë më racional. Nuk kanë zgjidhje tjetër”, u shpreh Janjiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka rinisur më 16 korrik.

Dialogu ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, pas vendosjes së tarifës prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Dialogu Kosovë –Serbi, fillimisht në nivelin teknik, kishte nisur në vitin 2011, dhe në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluan edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles