Masakra në Abri të Epërme është një prej rreth 400 masakrave të shtetit të Serbisë mbi popullsinë shqiptare, për të cilat ende askush nuk është dënuar, ka shkruar Presidenti Hashim Thaçi, sot me rastin e 22 vjetorit te maskares ne Abri, percjell Gazeta Online Veriu.info.
“Më 26 shtator 1998, forcat ushtarako-policore serbe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu në Abri të Epërme, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq. Masakra në Abri të Epërme është një prej rreth 400 masakrave të shtetit të Serbisë mbi popullsinë shqiptare, për të cilat ende askush nuk është dënuar. Themelet e shtetit të Kosovës janë ndërtuar mbi sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve tanë. Kujtimi dhe nderimi i tyre është i përjetshëm! HTH”, ka shkruar Thaçi.
Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Pas sulmit u zbulua, se të gjitha viktimat, fëmijë, pleq, gra e të rinj, ishin qëlluar në kokë nga afërsia. Trupat e të ekzekutuarve tregonin dëshmi të qarta të një kasaphane.