Site icon Prishtinapress

Policia shqiptare ia tregon vendin “bossit” që bëri drifta para syve të tyre

Pas videos së transmetuar në Shqiptarja.com policia ka ndaluar dhe shoqëruar shoferin që xhiroi gomat para komisariatit numër 6, dhe e kanë shoqëruar pikërisht në komisariatin numër 6.

“Nisur nga postimi në disa portale elektronike, ku shfaqej një automjet i markës Mercedes Benz me ngjyrë të bardhë duke bërë manovra të rrezikshme dhe xhirime gomash në rrugën “Llazi Miho”, përpara Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, shërbimet e Policisë, pas këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave  përreth vendit ku drejtuesi i mjetit kishte xhiruar gomat, bënë të mundur identifikimin e automjetit.

Pas identifikimit të të dhënave të automjetit që shfaqej në videon e publikuar, rrugorët e kryeqytetit organizuan kontrolle të shtuara. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në Unazën e re u bë i mundur ndalimi dhe shoqërimi i drejtuesit të automjetit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, një 29-vjeçar me inicialet A.B, ku po kryhen dhe verifikimet e nevojshme, me qëllim procedimin penal të personit përgjegjës për veprimet dhe sjelljet e rrezikshme në rrugë, si dhe procedimin administrativ për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor të konsumuara nga drejtuesi i këtij automjeti, që kanë rrezikuar jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës që gjendeshin në afërsi të vendit ku automjeti po kryente manovrat e rrezikshme”, njofton policia.

“Sfidë kujtdo që cenon sigurinë. Denonco drejtuesin e keqedukuar. Manifesto rregull, qetësi në makinë”, apelon policia.

Exit mobile version