Site icon Prishtinapress

Policia refuzon të tregojë nëse ka plan që nesër ta ndalojnë trenit serb

Serbia po bëhet gati që nesër pas 18 vjetësh ta lëshojë në qarkullim linjën hekurudhore Beograd-Mitrovicë.

Ndërkaq autoritetet e Kosovës përveç se këtë veprim të Serbisë e kanë quajtur ilegal, nuk kanë deklaruar se cili do të ishte hapi konkret që do ta ndërmarrin nesër për ta pamundësuar një gjë të tillë.

Madje as Policia e Kosovës si institucion mbrojtës i vendit nuk po ka guxim të tregojë nëse kanë ndonjë plan për ditën e nesërme apo nëse kanë marr ndonjë urdhër politik që do të duhej nesër ta zbatonin.

Lajmi.net ka tentuar të marr një prononcim për të kuptuar se çfarë do të bëjë policia e Kosovës të shtunën kur treni serb të hyjë në shtetin e Kosovës. E këta të fundit nuk kanë qenë të qartë në përgjigjen e tyre.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani na udhëzoi që për këtë t’i drejtoheshim institucionit përkatës, pa e cekur se për cilin institucion e kishte fjalën.

“ Lidhur me këtë pyetjë t’i referoheni institucionit kompetent”, ishte përgjigjja e Kelanit për lajmi.net.

Kurse sot gjatë ditës për trenin serb ishte deklaruar edhe ministri Zharku i cili në një prononcim për lajmi.net tha se hyrja e trenit serb në Mitrovicë është ilegal.

Reagime ka pasur edhe nga ministrja për dialog Edita Tahiri, sikurse edhe nga ish kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Ky i fundit tha se nuk ka më ndonjë dëshmi tjetër sikurse kjo e trenit serb sipas të cilit qeveria e Kosovës do të duhej të jepte dorëheqje.

Nesër, para promovimit të kësaj linje, do të organizohet vozitje e lirë me lokomotivën e dhuruar nga Rusia.

Përveç kësaj, Serbia është kujdesur që ky tren të përmbajë provokime të rënda për shtetin e Kosovës, duke e “lulisur” me motive kulturore dhe fetare të Serbisë dhe Kosovës.

Në tren po ashtu janë vendosur edhe mbishkrime provokuese si “Kosova është Serbi” në disa gjuhë, duke përfshirë edhe gjuhën shqipe, kineze.

Exit mobile version