Site icon Prishtinapress

Policia me kontrolle të rrepta për të parandaluar përhapjen e COVID-19

Policia e Kosovës ka vazhduar edhe sonte me angazhime në drejtim të parandalimit të përhapjes së pandemisë, gjegjësisht në realizimin e planit operativ dhe vendimeve të institucioneve rreth realizimit të masave për parandalim të COVID-19.

Siç thuhet në njoftimin për media, patrullat policore janë të angazhuara në tërë territorin e vendit 24/7, janë duke ndërmarrë veprime, sanksione bazuar në Ligjin AntiCovid 19 edhe pse ndëshkimet nuk janë mjeti kryesor, ato do të përdorën në rastet që parasheh ligji.

“Por, me këtë rast edhe një herë, ashtu si institucionet shëndetësore dhe jo vetëm, apelojmë, kërkojmë që të respektohen masat: maska, distanca, higjiena, kufizimi i kohës së lëvizjes, pra të gjitha ato masa që janë ndërmarrë nga institucionet e vendit, në interes të shëndetit publik”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar se të mërkurën në Kosovë janë regjistruar edhe 14 raste të reja të vdekjeve nga COVID-19.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Pejë 2 raste, Prishtinë 2, Prizren 2, Viti 2, Gjilan 1, Klinë 1, Mitrovicë 1, Shtërpcë 1, Skenderaj 1 dhe Suharekë 1 rast”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Gjatë 24 orëve të fundit në laboratorët privatë dhe publikë janë testuar edhe 4.557 mostra të dyshuara.

Sipas rezultateve janë shënuar edhe 701 raste të reja me COVID-19.

Pra, 15 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë.

Sipas autoriteteve shëndetësore sëmundjen e kanë mundur edhe 737 pacientë ndërsa raste aktive janë 13.186.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 99.536, i viktimave në 2.022 dhe i të shëruarve në 84.328.

Exit mobile version