Policia e Kosovës sqaron pse u gjobit prishtinasja që qeshi pas mesnate

0
69

olicia e Kosovës ka sqaruar se pse është gjobitur një qytetare në Prishtinë, e cila pas mesnate, tha se veç pse qeshi me zë mori gjobë nga një polic.

Policia e Kosovës, në interesimin e Koha.net për të dhënë më shumë detaje rreth këtij rasti, ka thënë se po atë natë, zyrtarët policorë kanë hasur në një grup të personave në mesin e të cilëve, një person i gjinisë femërore, përpos mospërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policorë, “ka bërtitur me zë të lartë” dhe nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë.

“Si rrjedhojë e këtyre sjelljeve të cilat bien ndesh me ligjin 03/L-142 për ‘prishjen e rendit dhe qetësisë publike’, të njëjtës i është shqiptuar një kundërvajtje, duke u bazuar në Ligjin për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike, 03/L-142”, thuhet në përgjigjen e PK-së për Koha.net.

Policia e Kosovës, thuhet tutje në përgjigje, vetëm në dy javët e para të muajit korrik, Stacioni Policor Qendra ka pranuar gjithsej 65 thirrje/ankesa nga qytetarët e zonës Qendër të Prishtinës për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Pas pranimit të ankesave të qytetarëve për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, konform autorizimeve policore ka ndërmarrë veprime policore ndaj zhurmës së lokaleve, për të cilat janë shfaqur pakënaqësi të për shqetësim nga ndotja akustike”, thuhet tutje.

PK-ja, shton se me datën 18 korrik 2019 në rrugën “Rexhep Luci”, pas ankesave të qytetarëve zyrtarët policorë u janë përgjigjur thirrjeve dhe kanë identifikuar lokalet dhe hapësirat të cilat bien ndesh me ligjin, pasi që të njëjtat nuk kanë zbatuar kufizimin kohor të paraparë me Ligjin 03/L-142, aty ku edhe është gjobitur prishtinasja.

Policia ka sqaruar edhe ku është bazuar në gjobitjen ndaj saj:

Neni 8

Bezdisjet Publike– Shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën

1. Kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje.

2. Nëse kundërvajtjet nga paragrafët 1 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro.

3. Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi përgjegjës i një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri shtatëqind (700) Euro.