Site icon Prishtinapress

Policia e Kosovës: Shpend Maxhuni nuk ka biseduar asnjëherë me Ukë Rugovën për leje të armëve

Policia e Kosovës ka mohuar deklarimet e Ukë Rugovës që i kishte dhënë para hetuesve të EULEX-it më 2014, ku e implikon drejtorin Shpend Maxhuni në negociatat për leje të armëve.

“Asnjëherë Drejtori i Përgjithshëm z.Shpend Maxhuni nuk ka pranuar kërkesë në asnjë formë nga z. Ukë Rugova për dhënien e lejes së mbajtjes së armëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Policisë së Kosovës dhënë Insajderit.

Po ashtu, në përgjigjen e policisë thuhet se “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka kompetenca ligjore për autorizimin e armëmbajtjes dhe procedurat për këto çështje janë të definuara qartë sipas ligjit dhe autoritetet për dhënien e lejeve të armëve është Ministria e Punëve të Brendshme dhe jo Policia e Kosovës”.

Drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, është përmendur nga Ukë Rugova gjatë intervistimit nga hetuesit e EULEX-it, më 2014.

Rugova ishte pyetur nga hetuesit se a posedon familja Rugova leje për armët që ishin gjetur gjatë bastisjes së shtëpisë së tyre.

Ai kishte thënë se ka disa vjet që familja nuk posedonte leje për mbajtjen e armëve. Ka përmendur Shpend Maxhunin si zyrtar që më 2011 kishte bërë vazhdimin e lejes për armë, në afat prej një viti. Prej vitit 2012 e tutje, Rugova thoshte se nuk posedonin leje për armë.

“E kemi pasur një në vitin 2011, pastaj kemi hyrë në një lloj bisedimi me Ministrin e Drejtësisë, zëvendëskryeministrin (Zt. Kuçi) dhe Drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni, për të vazhduar lejet tona, por kjo akoma ka mbetur një çështje procedurale; asgjë më shumë se kaq. Drejtori e ka bërë vazhdimin për një vit, mirëpo pastaj ka mbetur çështje procedurale; ne do duhej të kishim një leje të vlefshme, por ne nuk i kemi përdorur më armët tona”, ka thënë Rugova.

Rugova kishte zbuluar para hetuesve se, përveç mungesës së lejeve, nuk posedonte as kërkesë me shkrim për pajisje me leje për mbajtje të armëve. Kërkesat nga viti 2012 e tutje, sipas tij, ishin bërë vetëm gojarisht.

“Kërkesat kanë qenë verbale. Do duhej t’i kishim bërë me shkrim, por nuk i kemi bërë”, kishte thënë Rugova.

Exit mobile version