Site icon Prishtinapress

Policia dhe Ministria e Infrastrukturës, s’kanë qenë efikase në ofrimin e sigurisë rrugore

Ndikimi i Policisë Kosovës në rritjen e sigurisë në trafikun rrugor nuk ka qenë efikase. Ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe Komuna e Prishtinës s’i kanë mirëmbajtur rrugët ashtu siç duhet.

MIT-ja nuk ka identifikuar pikat me rrezikshmëri në trafik (pikat e zeza) dhe ka mangësi të tjera në organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit të aftësimit dhe provimit për patentëshoferë dhe në procesin e kontrolleve teknike të automjeteve.

Kështu thonë gjetjet e raportit të auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor” i kryer nga Zyra Kombëtare e Audtimit.

Auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani tha se përmes këtij raporti po synohet që të ofrohen përmirësime në ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor nga ana e organeve përgjegjëse.

Por, sipas tij është shqetësues se raporti ka nxjerr në pah një moskoordinim në mes akterëve kryesorë për të pasur një qasje më të mirë të organizuar krahas këtij shqetësimi.

“Kemi një lloj mospërputhje dhe mos koordinimi të akterëve në mënyrë që të kemi një qasje të mirë organizuar dhe të orientuar në rezultate. Statistikat që ne u referohemi gjatë këtyre viteve me trend në rënie apo ngritje nga viti në vit gjatë tri viteve të audimit na tregojmë që ne ende nuk kemi ikur nga vrima e zezë aty ku humbin jetën të dashurit tanë. Prezantimi i këtij raporti nuk synon me iu tregu institucioneve se si duhet me i zgjedh këto probleme, raporti vendos disa rekomandime se çka është e rëndësishme të përmirësohet”, u shpreh Osmani.

Kurse, ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca tha se siguria në trafikun rrugor mbetet një prej problemeve kryesore të shoqërisë kosovare, pasi që organet Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë arritur të jenë efektive për të rritur sigurinë rrugore.

Duke iu referuar të gjeturave të raportit, Spanca tha se mbulimi i mangët i rrugëve me kontrolle policore, mos orientimi i kontrolleve policore sipas rreziqeve dhe shumë shkaqe të tjera që janë përmendur në raport kanë bërë që të dështoj Policia e Kosovës në ofrimin e një sigurie më të lartë në trafikun rrugor.

Ndihmës Auditorja e Përgjithshme theksoi se komuna e Prishtinës nuk ka arritur t’i identifikojë vendet e rrezikshme në rrugët lokale dhe urbane, dhe ka mungesë të mirëmbajtjes dhe sinjalizimit të rrugëve.

“Auditimi ka nxjerr në pah se organet përgjegjëse nuk janë efektive dhe nuk po bëjnë sa duhet për të rritur sigurinë në trafik. E para është mbulimi i mangët i rrugëve me kontrolle policore në trafikun rrugor në rajonin e Prishtinës, mos orientimi i kontrolleve policore sipas nevojave dhe rreziqeve, mos inspektimi apo kontrolli, mbikëqyrja e dobët e kontrolleve policore nga drejtorit apo njësia përkatëse, pastaj edhe sistemi informativ i Policisë së Kosovës ishte me të dhëna jo të plota dhe jo të sakta dhe këto kanë bërë që Policia e Kosovës të mos jetë efektive sa duhet në rritjen e sigurisë në trafikun rrugor. Mos implementimi i kritereve të rëndësishme të sigurisë rrugore, mos identifikimi dhe menaxhimi i vendeve të rrezikshme, mungesa e mirëmbajtjes së rrugëve dhe sinjalizimeve, mos funksionalizimi i E-testimit për patentë shofer mbikëqyrja e dobët e qendrave të kontrollit të automjeteve po ashtu ka bërë minist ria e Infrastrukturës të mos jetë efektive”, u shpreh Spanca.

Raporti i auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor” u prezantua nga Labinot Sadiku, i cili tha se  kontrollet policore nuk orientohen në bazë të shkaktarëve të aksidenteve dhe rrezikshmërisë së rrugëve.

Madje 48 përqind e ekipeve patrulluese gjatë ndërrimit nuk mbikëqyren fare nga rreshterët.

Sadiku duke folur për të gjeturat e raportit për sigurinë rrugore tha se Policia e Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës nuk kanë identifikuar vendet me rrezikshmëri të lartë.

“Njësia Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë nuk orienton krahas shkaktarëve dhe faktorëve të aksidenteve.. Nga mostrat e analizuara për vitin 2016, 2017, dhe 2018 shihet qartë që mbulohen tri regjione kryesore me prioritet dhe ka regjione bien në përgjegjësinë e NJR-së Prishtina, mirëpo nuk mbulohen fare ne kemi gjetur raste ku ka pasur edhe aksidente me fatalitet në ato regjione. Analizat tona kanë treguar se 48 përqind e ekipeve patrulluese gjatë një ndërrimi nuk janë mbikëqyrur nga rreshterët. Bazuar në strategjinë rrugore 2016-2020 janë disa masa që duhet të implementohet nga institucionet përgjegjëse dhe njëra ndër to është edhe identifikimi i pikave të zeza që bie kryesisht në përgjegjësinë e ministrisë së Infrastrukturës e cila në bashkëpunim me Policinë e Kosovës nuk kanë bërë identifikimin e vendeve të rrezikshmëri të lartë të pikave të zeza”, tha ai.

Raporti thotë se procesi i testimit në fushën e patentë shoferit vazhdon pa një mbikëqyrje dhe mund të karakterizohet me parregullsi të ndryshme, dhe kjo rrjedhimisht ndikon direkt në sigurinë në trafikun rrugor.

Për dhënien e provimit për patentë shofer, monitorimi i provimit në pjesën teorike dhe pjesën praktike duhet të realizohet nëpërmes sistemit elektronik të kamerave, raporti ka gjetur se gjatë testimit praktik të kandidatëve, ka raste kur ky proces përcillet me mos funksionim të tyre. Organi për mbikëqyrje profesionale në raportet e tij ka identifikuar prishje të shpeshta të kamerave dhe kamera jashtë funksionit gjatë procesit të testimit dhe vlerësimit.

Zyra Kombëtare e Auditorit të Përgjithshëm ka nxjerr gjithsej 26 rekomandime me qëllim të përmirësimit të gjendjes në trafikun rrugor. Prej tyre 8 i janë rekomanduar Policisë së Kosovës, 10 ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, kurse 6 rekomandime janë bërë për komunën e Prishtinës.

Exit mobile version