Site icon Prishtinapress

Pesë ministri udhëhiqen nga gratë

Qeveria e re e Kosovës që u miratua në fillim të javës në parlament, është e para në historinë e vendit në të cilën pesë ministri, udhëhiqen nga gratë.

Në parlamentin e Kosovës 30 për qind janë gra deputete, meqë partitë detyrohen të kandidojnë këtë përqindje për shkak të kuotës gjinore të përcaktuar me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, por në qeveri pjesëmarrja e grave varet nga vullneti i partive politike.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës i tha Zërit të Amerikës se udhëheqja e pesë ministrive nga gjithsej 15 sosh, nga gratë, flet për një emancipim të partive politike lidhur me rolin që gratë duhet ta luajnë në vendimmarrje.

“Vetëm fakti ku ne e shohim barazinë gjinore jo si një çështje të dorës së dytë por ta shohim si një prioritet duke e parë që gjysma e shoqërisë përbëhet nga gratë dhe janë gjysma e potencialit njerëzor, potenciali më i rëndësishëm i një shteti, prandaj kur ato përfshihen drejtpërdrejt janë një vlerë e shtuar dhe sjellin vlera në tryeza të vendimmarrjes që përfitojmë të gjithë, prandaj ne mund të themi se do të kemi politika më gjithëpërfshirëse”, tha ajo.

Megjithatë, Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore, thotë se përfaqësimi prej 30 për qind nuk është i mjaftueshëm.

“Faktikisht për shumicën lajm i mirë por për neve i kënaqshëm do të thoja, sepse kemi pritur që kjo qeveri do të jetë 50-50 ashtu sic e jep edhe ligji për barazi gjinore por mund të themi se është për herën e parë në Kosovë një 30 për qind e grave në qeverisje, po ashtu lajm tjetër i mirë që kemi edhe një nënkryetare grua në parlamentin e Kosovës e poashtu edhe kryeparlamentaren grua. Shpresojmë shumë që kjo do të reflektojë mjaftueshëm edhe në agjendën e kryeministrit e të parlamentit, por më e rëndësishmja është që të reflektojë në programin qeverisës”, thotë ajo.

Demolli thotë se për qeverinë Kurti përparësi do të duhej të ishte punësimi i grave.

“Duhet të bëjë urgjentisht masa afirmative në të gjitha nivelet ku e rritë punësimin e grave, punësimi i grave aktualisht është 13.8 për qind, gratë janë të punësuara në sektorë ku paga është tejet e ultë, kemi diku vetëm tre deri në katër për qind të grave që punojnë që kanë një pagë mbi 800 euro, pra të gjitha gratë tjera që punojnë kanë një pagë e cila nuk është as për të mbajt veten e as familjen”, thotë ajo.

Krasniqi ndërkaq bën thirrje për përfshirje të grave edhe në procese të rëndësishme siç janë bisedimet me Serbinë.

“Nëse e shohim në botë dhe në bazë të statistikave në çdo vend ku ka pasur përfshirje të grave në proceset e paqe-bërjes, qoftë në bërjen e marrëveshjeve pas konflikteve, ato marrëveshje kanë qenë më të qëndrueshme, kanë zgjatur më shumë dhe kanë arritur të zbatohen më mirë. Për të arritur një marrëveshje të paqes me Serbinë duhet patjetër që gratë të jenë të përfshira si pjesë e ekipit i cili do të bëhet siç e ka thënë të paktën kryeministri Kurti se do ta formoj një ekip”, thotë ajo.

Në zgjedhjet që u mbajtën me gjashtë tetor gratë fituan 38 nga 120 ulëset e parlamentit, dhe shumica e tyre siguruan ulëset përmes votave të fituara, pa pasur nevojë për kuotën gjinore. Njohësit e fushës së barazisë gjinore në Kosovë në vazhdimësi bëjnë thirrje që kuota gjinore prej 30 për qind të zëvendësohet me ligjin për barazi gjinore që garanton pjesëmarrje 50 me 50. Në qeverinë e kaluar, vetëm dy ministri janë udhëhequr nga gratë.

Exit mobile version