Personi i infektuar nga Malisheva, ishte liruar para pesë ditëve nga karantina pasi kishte rezultuar negativ në COVID-19

0
33

Sot në Malishevë është paraqitur një rast i ri me COVID-19, por që historia e tij është më ndryshe nga të tjerët.

Nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha thotë për RTV Dukagjinin se qytetari në fjalë pasi është futur në Kosovë nga Mali i Zi ka qëndruar në karantinë në qendrën e studentëve për 10 ditë e që më pas është testuar dhe liruar për në shtëpi.

“Më datën 23 pasi ka rezultuar negativ është liruar nga karantina ku po mbahej në qendrën e studentëve dhe dje i janë paraqitur simptomat ku pas testimit ka rezultuar pozitiv”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Berisha thotë se pos familjarëve të këtij pacienti duhet parë nëse edhe katër shokët e tij me të cilët kanë ardhur bashkë nga Mali i Zi janë prekur me COVID-19.

“Me të njëjtit kanë qëndruar në karantinë dhe kanë dalë në të njëjtën kohë nga karantina. Ditëve në vijim duhet bërë përsëri testet edhe për këta qytetarë”.

Ndryshe, Berisha thotë se pos këtij rasti, në Malishevë rasti i fundit me coronavirus ishte paraqitur para 30 ditëve.