Site icon Prishtinapress

Përplasen Pacolli dhe Haradinaj-Stublla për kthimin e ambasadorëve, ministrja thotë se secili diplomat ka lidhje familjare me parti politike

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka raportuar sot në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Pas raportimit të saj se në çfarë gjendje e ka gjetur ministrinë që ajo e drejton, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli ia ka parashtruar disa pyetje lidhur me kthimin e ambasadorëve të cilët kishte kërkuar të kthehen ish-ministri Glauk Konjufca.

“Ministri Konjufca kishte kërkuar që të kthehen 14 konsuj që kanë hyrë në mënyrë të paligjshëm në mision diplomatik, e poashtu edhe shtatë diplomatë ky hyn Vlora Citaku, Edon Cana, Lirim Grejqevci e të tjerë. Pse nuk janë kthyer akoma dhe a keni me kërkuar ju prapë me u kthy. A ka ambasadorë të tjerë politik që ju përfundon mandati dhe kur priten të kthehen”, ka pyetur Pacolli.

Deputetja tutje ka shtuar se MPJ sa i përket çështjes së konsujve ka aplikuar standarde të dyfishta, shkruan Telegrafi.

“Keni aplikuar standarde të dyfishta, keni vendos mi kthyer disa e disa jo. Ata që keni vendos mos mi kthy e me jua vazhdu mandatin kanë lidhje me parti politike ose me persona që janë në pushtet. Është djali i ministres së MKRS, Rron Kryeziu që është dërguar jashtëligjshëm në Nju Jork dhe vazhdon me qëndru atje dhe ja keni vazhdu misionin deri në dhjetor 2020, pastaj është Enver Buqaj që ka qenë këshilltar në kabinetin e ish-ministrit Enver Hoxhaj, Yllka Geci, Sedat Bërniku e shumë të tjerë…Pse kanë ndodh këto”, ka thënë Pacolli.

Pacolli tutje ka pyetur ministren Haradinaj-Stublla se si ndodhi që ju shpikët një pozitë të re brenda misionit të jashtëm, vendoset ta gradoni vëllain e ministrit Armend Zemaj, në vendet e Bashkimit Evropian?

Pastaj ka reaguar ministrja Meliza Haradinaj-Stublla duke thënë se nuk kemi ardhur që flasim për individ, dhe se po vazhdojmë secili diplomat del që ka lidhje familjare me partitë politike.

“Deputete me shumë respekt nuk kem ardh me fol për individ sepse me ja nis secili diplomat del me lidhje familjare me partitë politike. Pse si ka shkarku ish-ministri Konjufca 200 diplomatë”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Po ashtu, Fitore Pacolli ka cituar ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiq lidhur me anëtarësimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare, gjë që e ka prekur ministren Haradinaj-Stublla e cila tha se po ndihet e fyer nga këto fjalë.

“Është ofendim, kam familjarë të vrarë dhe vi nga një parti me ndjeshmëri të lartë dhe nuk lejoj këtë gjuhë”, ka thënë Haradinaj-Stublla.

Exit mobile version