Site icon Prishtinapress

Përkrahje e madhe për Nismën në Gjilan, Limaj u kërkon votën e zemrës

Zëvendëskryeministri në detyrë, njëherësh kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj tha se eksperimenti dhe prova e përsëritur, është luks i madh për Kosovën.

Në ditën e parë të takimeve me qytetarët pas Konventës, në Gjilan para qytetarëve ai tha se në emër të votës, fuqi të ndryshme politike grushtojnë dhe drejtojnë gishtin ndaj njëri-tjetrit, si shkak i mungesës së programit qeverisës.

“Qytetarët nuk duan të shohin duke u sharë mes vete, por t’u zgjidhen problemet. Kërkojmë ndihmën tuaj, neve ne nuk kemi logjistikën e partive të mëdha, por kemi besim dhe program qeverisës. Ne kërkojmë ndihmën tuaj për të shpërndarë idenë tonë. Ky vend nuk ka më kohë. Eksperimenti dhe prova e përsëritur, është luks i madh për Kosovën. Më shumë se kurrë na duhet mençuria dhe dituria”, tha ai.

Limaj tha se ka refuzuar katër herë postin e kryeministrit, sepse është përgjegjësi dhe se ka pasur nevojë për pjekje politike. Ai tha se nuk ka rrugë më të denjë për Kosovën, se sa të hiqet dorë nga inatet.

Bilall Sherifi ka përsëritur edhe një herë se zgjedhja më e mirë për vendin është kryetari i tij, Fatmir Limaj, sepse sipas tij Kosova nuk ka kohë për të eksperimentuar.

“Nuk mund t’u besohet vendi atyre që e barrikadojnë vendin për të marrë një votë më shumë. Po shihet qartë se në Gjilan janë trefishuar votat”, tha ai.

Valdete Bajrami nga Nisma Socialdemokrate tha se Gjilani ka punuar shumë, duke theksuar se njerëzve të këtij vendi i është dhënë mundësi e mirë e përfshirjes në listën e kandidatëve për deputetë.

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka kërkuar nga te gjithë pjesëmarrësit që të mobilizohen për fitoren e Fatmir Limajt, kryeministër.

Sevdail Robelli, kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Gjilan i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen. “Nisma në Gjilan ka dalur me tre kandidatë për zgjedhje. Një mbështetje të fuqishme e kam nga Valdete Bajrami”, tha ai

Exit mobile version