Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i dërgoi një letër kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke e kërcënuar me pezullim të përhershëm të fondeve amerikane, për shkak të pandemisë së coronavirusit.
Letra përmban një afat prej 30 ditësh për OBSH-në që të angazhohet në “përmirësime thelbësore”; në të kundërtën, siç thuhet, rrezikon të humbë miliona dollarë, ashtu si edhe anëtarësinë e SHBA-së.
E adresuar te shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, letra kritikon përgjigjen e OBSH-së ndaj coronavirusit, që nga shfaqja e tij në muajin dhjetor.
Aty thuhet se OBSH-ja i ka injoruar raportet e besueshme për përhapjen e virusit në Wuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar, dhe se ka bërë pretendime për coronavirusin që “ishin ose të pasakta, ose mashtruese”.
This is the letter sent to Dr. Tedros of the World Health Organization. It is self-explanatory! pic.twitter.com/pF2kzPUpDv
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) May 19, 2020
Trump, muajin e kaluar, i ka pezulluar përkohësisht kontributet e SHBA-së në OBSH, duke e akuzuar atë për njëanshmëri ndaj Kinës.
Zyrtarët e OBSH-së i kanë mohuar akuzat, ndërsa Kina ka thënë se ka qenë ”transparente dhe e hapur”.
Të hënën, OBSH-ja është zotuar se do të bëjë një vlerësim të pavarur të përgjigjes së saj ndaj pandemisë së coronavirusit, përcjell rel.
SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga ky virus ngjitës. Mbi 1.5 milion njerëz atje janë infektuar dhe mbi 90,000 kanë humbur jetën.